TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se dalja me lista të veçanta PD dhe LSI jo vetëm që nuk ka asnjë kosto për këtë forcë, por ka sjellë dhe një konsolidim të identitetit dhe të integritetit të saj.

Ajo tha në “Real Story” në News24 se pas djegies së mandateve LSI kaloi një katarsis një kthjellim dhe se sot çdo kandidat i LSI për votën që merr ka përgjegjësi. Ajo foli dhe për çështjen e deklaratave të nënkryetarit të LSI, Petrit Vasili.

Minxhozi: Një nga figurat kryesore të partisë suaj, nr 2 i partisë bëri thirrje që të votohet e gjithë lista.
Kryemadhi: Nr.3 i listës zoti Vasili bëri thirrje për të votuar tre gra nga Vlora. Duke qenë se zoti Vasili nuk shquhet për xhentil donte të bëhej xhentil dhe ra brenda.
Minxhozi: Doja t’ju pyes për dy aspekte.
Kryemadhi: Sapo më çoi sms Vasili, thotë fola për tre gratë që më shoqëruan në varrezat e Dëshmorëve.
Minxhozi: Ju vendosët të dilnit me një listë të veçuar nga PD dhe për shkak të atij sistemi që kaloi, nën presionin e maxhorancës, por që projektoi fillimisht një ardhmëri të marrëdhënies tuaj elektorale me PD që nuk do ishte aq rozë sa ditën kur ju nënshkruat marrëveshjen politike me z. Basha. Të gjitha sondazhet tregojnë një të vërtetë e cila më duket që është nga të vërtetat e vetme koherente, dhe që do të thotë ju keni një shkëmbim votash mes jush si opozitë, ndërkohë që pala përballë mbetet në lëvizje margjinale, ose brenda marazheve të gabimit të sondazheve pa humbur kuotat me të cilat hyri në garë. A mos kjo dalje e veçuar do të krijojë një kosto, e cila po dëmton kryesisht LSI-në në favor të PD?
Kemi një president Republike, të cilin shumëkush sot, unë personalisht e shoh krejt jashtë funksionit të tij. Është krijuar një situatë kaq absurde me institucionin e Presidentit të Shtetit sa që një konflikt eventual politik në lidhje me rezultatin të nesërmen, ky vend nuk ka asnjë derë ku të trokasë, përveç KQZ-së dhe gjykatave që nuk përmbledhin vullnetin e popullit, por që interpretojnë ligje.
Ne sot kemi një president Republike i cili shkon njëherë në Vlorë, njëherë në Pogradec, ndjek fluktuacionet e partisë suaj në mënyrë pak a shumë të hapur. Bën deklarata të njëanshme. A nuk ju duket se ne kemi një president që do ishte më mirë të dilte prej së vërteti nga ajo derë dhe të merrte LSI-në. A nuk do ishte më e ndershme kjo në këtë fushatë?

Kryemadhi: Sa i përket daljes me dy lista, LSI jo vetëm që nuk ka asnjë kosto, por ka një konsolidim të identitetit dhe të integritetit të saj. 2 vitet pas djegies së mandateve kanë qenë shumë të vështira për LSI-në sepse u vendos përballë një presioni. Procesi i djegies së mandateve i solli jo vetëm një katarsis LSI-së por dhe një kthjellim. Një votë e LSI nuk është vetëm një votë. Çdo kandidat i LSI për votën që merr ka përgjegjësi.
Për rastin e Vlorës, sot çfarë ka ndodhur me LSI-në në Vlorë. Ka jo vetëm një konsolidim të strukturës dhe grumbullim të intelektualëve, një bashkim të strukturës. Jo e paqëllimshme është vendosja e Luan Ramës në krye të listës së Vlorës. Vajtja e Luan Ramës ka vetëm një qëllim.
Paratë që janë investuar në Vlorë, nuk kanë shkuar në xhepat e qytetarëve. Luan Rama në Vlorë hyri në zemrën e PS në Vlorë. Kush i përfaqëson socialistët në Vlorë, Afrim Qendro?
Ndodh që beteja e listave është që kjo betejë që asnjë nga socialistët nuk e dinte i sati ishte në listë. Nëse LSI nuk do kishte rritje në Vlorë dhe në Shkodër, pse do dilje. Demotivimi është e vetmja gjë që i ka mbetur Edi Rama.
Të më gjejnë socialistët ku i kanë socialistët e vërtetë në listat e Rilindjes.
Për Presidentin, është zgjedhja dhe axhenda e tij personale.
Mua si LSI, veprimet të tilla i kanë dhënë kosto LSI-së, nuk është se i kanë dhënë benefite. Nuk më krijon ndonjë efekt pozitiv. Janë dy situata të ndryshme, nuk është më 2017, as 2013, as 2009. Kemi një sjellje ndryshe, komunikim virtual, ndodh përmes jetës së përditshme. Sot ke një opinion publik që 98% nuk është se ndihen mirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb