TIRANE-Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Rexhep Çeliku në moshën 63-vjeçare. Meta shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta te mjeshtrit, ndërsa thotë se kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme.

“Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritëshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”-shprehet Meta në mesazhin e tij.

Rexhep Çeliku u nda nga jeta sot në orën 02:30 të mëngjesit pas një lufte të gjatë me sëmundjen. Ai ishte solist i parë i Ansamblit të këngëve dhe valleve.

Vetëm katër ditë më parë ai pati edhe shfaqjen e fundit në publik, ku Presidenti i Republikës, Ilir Meta i akordoi Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: