Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kampionit dhe trajnerit të madh të Ekipit Kombëtar dhe “Dinamo”-s, Profesor Ferid Berberit. Teksa ka qenë i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës, Meta shkruan se do ta kujtojmë gjithmonë me respekt Profesor Feridin, pavarësisht nga kjo ndarje e papritur, për të gjithë trashëgiminë shumë të suksesshme që ai ka lënë në fushën e sportit.

“I dhashë sot lamtumirën e fundit njërit prej legjendave më të shquara të peshëngritjes shqiptare, kampionit dhe trajnerit të madh të Ekipit Kombëtar dhe “Dinamo”-s, Profesor Ferid Berberit.
Mirënjohje për gjithçka ai bëri për të modernizuar peshëngritjen tonë dhe për ta ngritur atë në nivelet më të larta ndërkombëtare, në kohën e izolimit më të madh të vendit nga bota.
Mirënjohje për të gjitha ato arritje të shkëlqyera të peshëngritjes tonë për më shumë se tre dekada dhe për përfaqësimin e saj dinjitoz në nivel ballkanik, europian dhe botëror.
Mirënjohje për super kampionët, që ai i dha këtij sporti si Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni, Muharrem Berisha dhe shumë të tjerë.
Ne do ta kujtojmë gjithmonë me respekt Profesor Feridin, pavarësisht nga kjo ndarje e papritur, për të gjithë trashëgiminë shumë të suksesshme që ai ka lënë në fushën e sportit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Berberi dhe familjes së madhe të sportit të peshëngritjes!
Të prehet në paqen e merituar!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb