TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka dhënë fakte siç i quajti ai për krizën energjetike në vend, teksa në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, jashtë Kryeministrisë protestohej. Rama foli për menaxhimin e shitjes dhe blerjes së energjisë në treg referuar asaj që ndodh me HEC-et në vend. Ai tha se po ndërtojmë Skavicën, për të pasur një mundësi depozitimi të ujit të tepërt për ta pasur në kohë të thatë. Sipas tij, ndarja tek faktet na bën të çorientohemi dhe të hyjmë në një kacafytje përçarëse.

“Fakti është se ne e shesim energjinë në kohërat me shi dhe kur ne e shesim në kohërat me shi, duhet ose ta shesim ose ta hedhim sepse energjia nuk mbahet dot as në dollap as në frigorifer. Natyrisht e shesim lirë sepse në vjeshtë dhe në dimër, çmimi i saj bie, kërkesa është më e ulët. Po e blejmë shtrenjtë sepse në verë nuk kemi reshje, niveli i HEC-eve tona bie dhe patjetër ne duhet të dalim në treg. Prandaj po ndërtojmë Skavicën, për të pasur një mundësi depozitimi të ujit të tepërt për ta pasur në kohë të thatë. Të gjitha duan kohë. Ne s’mund të ndahemi tek faktet. Ndarja tek faktet na bën të çorientohemi dhe të hyjmë në një kacafytje përçarëse.

Fakti është se 1 megavat orë që vjet kushtonte 52 euro, sot blihet me 550 euro. Ne jemi zotuar ta mbrojmë konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël qysh disa muaj më parë kur dola dhe paralajmërova krizë në horizont dhe filloi një gjullurdi se kjo ka qenë një sajesë. Se çfarë arsye ka një kryeministër që të dalë dhe të sajojë kriza dhe lajme që shqetësojnë njerëzit, nuk e di se ku e gjejnë këtë arsye. Fakti e tregoi që kjo nuk ishte lojë dhe kriza u përshkallëzua. Dhe kur unë fola për krizë as nuk kishte njeri idenë se Europa do hynte në luftë”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb