TIRANË

Shkrimtari e përkthyesi Bashkim Shehu vjen në një intervistë për gazetarin Fatmira Nikolli në “News24” mbi librin e tij më të fundit “Liri Belishova dhe koha e saj”. Shehu sjell në libër, biseda e kujtime të Belishovës, një prej figurave që mbajti poste te larta gjatë regjimit komunist e më pas u dënua duke njohur skajet fundore.

Shehu tha se vendimin për të ardhur me këtë libër, e mori pas një bisede zhvilluar me Henrin Çilin ndërsa thekson se figura e Liri Belishovës, iu duk ndër më interesantet.

“Kjo ka lindur gjatë një bisede me Henri Çilin, po diskutonim me mundësitë e bashkëpunimit, edhe ai më tha që botojmë një kolanë librash me personalitete të ndryshme historike të Shqipërisë, unë u mundova ca edhe pastaj vendosa që të ishte Liri Belishova, m’u duk më interesante për një sërë arsyesh.

Në radhë të parë është një njeri që ka pësuar dy herë rënie nga majat e pushtetit, pas rënies së parë u ngjit në majat e pushtetit prap dhe kur u duk që ishte e pandryshëm ky fakt i saj, pëson një rënie tjetër e më pas një tjetër aspekt i saj është se nga të paktë njerëz të kupolës së diktaturës është që ka kërkuar falje publike, dhe një arsye tjetër po më pak e rëndësishme është që ka qenë grua.” u shpreh ai, ndërsa përshkruan takimin e parë me të pas regjimit komunist.

“Ajo kthehej pas 30 vjetësh internim. Unë kisha një ide për të, por nuk e dija dhe nuk ma merrte mendja të ishte aq e kthjellët në gjykimin për atë regjim dhe sidomos për veten e saj. Kjo më bëri që të filloj ta admiroj. I dyti ka qenë brenda bllokut, te vila që ka qenë e Spiro Kolekës, por i ishte kthyer pronarëve të dikurshëm dhe ata jepnin pjesë të saj me qera, dhe aty kishte marrë edhe Liri Belishova me të shoqin, me të cilin kam qene në burg më parë. Rastisi që të kishim shtëpitë afër” tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb