Qeveria gjermane është shprehur me ton të pazakontë të ashpër kundër përpjekjeve ruse për ndikim para zgjedhjeve parlamentare më 26 shtator. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme Federale në Berlin kërkoi ndalimin e menjëhershëm të fushatave kibernetike dhe kërcënoi qeverinë ruse me pasoja, nëse nuk e plotëson këtë kërkesë. “Qeveria gjermane e konsideron këtë veprim të papranueshëm, si rrezik për sigurinë e Republikës Federale të Gjermanisë dhe për procesin e formimit të vullnetit demokratik dhe si rëndim të madh të marrëdhënieve bilaterale.”

Sipas zëdhënënes në Berlin, qeveria gjermane ka “dijeni konkrete”, sipas të cilave, fushata dezinformuese “mund t’i caktohet vepruesve kibernetikë të shtetit rus dhe konkretisht shërbimit sekret ushtarak rus, GRU.” Ky veprim është “tërësisht i papranueshëm” dhe qeveria gjermane parashikon “masa të tjera”.

Para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani ka pasur përpjekje “ndër të tjera përmes mailave hakerues” të sigurohen të dhëna personale të deputetëve të Bundestagut dhe parlamenteve të landeve, që përmes kësaj të “arrihet vjedhja e identitetit”, ka thënë më tej në reagimin e saj zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane. “Këto sulme mund të shihen si veprime përgatitore për fushata ndikuese si për shembull fushata dezinformuese në zgjedhjet e Bundestagut.”

Autoritetet gjermane të sigurisë kanë informuar këtë vit të paktën tre herë Bundestagun për sulme kibernetike të shërbimeve të huaja sekrete ndaj parlamentarëve. Së fundmi kanë qenë në shënjestër deputetë konservatorë të CDU/CSU dhe SPD-së. Pas sulmeve fshihet një “platformë kibernetike” me emrin “Ghostwriter”, pas së cilës qëndron shërbimi sekret rus, tha zëdhënësja e MPJ. “Qeveria gjermane i kërkon urgjentisht qeverisë ruse të ndalë menjëherë këto aktivitete kibernetike.” Këtë kërkesë ia kemi paraqitur edhe “drejtpërdrejt funksionarëve rusë”, tha zëdhënësja, së fundmi edhe në takimin e grupit të punës gjermano-rus për politikën e sigurisë. Zëdhënësja nuk u shpreh për reagimin e palës ruse.

Rusia është akuzuar më parë edhe për përpjekje për ndikim në zgjedhjet presidenciale të SHBA në vitin 2016. Qeveria ruse i kishte hedhur poshtë atëherë akuzat. Edhe në Gjermani ky vend akuzohet shpesh se qëndron pas sulmeve kibernetike. Kësaj here kritika e pazakontë e ashpër dhe e drejtpërdrejtë e Gjermanisë interpretohet si zemërim i madh me Moskën. Ministria e Jashtme gjermane ishte shprehur po ashtu e zemëruar që Rusia ka publikuar emrat e forcave lokale të ambasadës gjermane në një listë me gjoja mbështetësit e kritikut të qeverisë ruse, Aleksej Navalny, duke e akuzuar Gjermaninë për financim të Navalnyt të burgosur.

/DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb