Universiteti “Luarasi” i kushton vëmendje të veçantë ndërkombëtarizimit, me synimin që të jetë një lider në sistemin universitar shqiptar duke ofruar një cilësi të lartë në bazë të standardeve ndërkombëtare. Një aspekt i rëndësishëm i ndërkombëtarizimit prej të cilit kanë përfituar një numër i madh studentësh dhe stafi, është programi i shkëmbimit Erasmus+.

Luarasi i ka kushtuar një vëmendje të veçantë duke dashur të jetë një universitet novator dhe tërheqës sa i takon përthithjes së studentëve të huaj.  Studentë nga universitete partnere siç është Universiteti Politeknik i Barit janë duke kryer semestrin e dytë të vitit akademik pranë Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit në gjuhën angleze. Nga sot drejtuesit e “Luarasit” i kanë ftuar të janë pjesë e Këshillit Studentor.

Sipas Arsejda Gjylit përgjegjëse e zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare tek “Luarasi” kjo eksperiencë është shumë e vlefshme sa i takon qasjes së ndërkombëtarizimit të Universitetit Luarasi si dhe ngritjes së një rrjeti ndërkombëtar të bashkëpunimeve në kuadër të programit Erasmus +.

Duket qartë se studentët italianë e shikojnë Luarasin si një universitet që nuk bën ndryshim nga universiteti Politeknik i Barit. Sipas tyre nuk ndryshon cilësia akademike. Duket qartë se jeta në Tiranë dhe jeta studentore tek Luarasi është vërtetë e ngrohtë për  Andrean dhe Fabricion, të cilët theksojnë fort cilësinë e komunikimit dhe programeve akademike

“Eksperienca jonë këtu është fantastike, kemi njohur një vend të ri, kulturën tuaj, gjuha shqipe na duket e vështirë. “Luarasi” është një zgjedhje shume e mirë për mua, ja ka vlejtur. Qyteti është i bukur po zhvillohet, njerëzit janë të sjellshëm me ne. Do u them miqve të mi të vijnë këtu dhe ta përjetojnë këtë”,-tha studenti italian Andrea Impagliatelli për News24.

“Zgjodha të studioj këtu, është zgjedhja më e mirë që kam bërë me universitetin “Luarasi”. Kisha dëshirë të eksploroja një vend të ri  por dhe të përmirësoja komunikimin në gjuhën angleze.  Kam vënë re se ju këtu flisni kaq shumë italisht dhe jeni pranë kulturës sonë. Profesorët e mi këtu tek “Luarasi” janë shumë të sjellshëm me ne, kemi mësuar shumë prej tyre ka shumë interaktivitet mes studentëve dhe pedagogëve. Ambienti dhe kushtet janë shumë të mira brenda universitetit, jemi ndier mirë, njerëzit janë të ngrohtë”, u shpreh studenti tjetër italian Fabrizio Voza.

Kjo traditë që universiteti “Luarasi” ka krijuar tashmë duket se është në rrjedhën e duhur duke i dhënë një emër dhe një aspekt shumë pozitiv studimit në universitetet e Shqipërisë. Programi Erasmus+ i jep të gjithë studentëve tek “Luarasi”, të zhvillojnë dhe shkëmbejnë njohuri dhe përvojë në institucione dhe organizata në vende të ndryshme. Studentët kanë një mundësi të artë për të njohur dhe studiuar në një gamë të gjerë në vende të ndryshme të Europës. Programi Erasmus + përfshin edhe studentët e huaj të vijnë dhe të shfrytëzojnë këtë program në Shqipëri, në Universitetin Luarasi, i cili si universiteti privat më prestigjioz prej vitesh  ka pritur të trajnojë studentë nga shtete të ndryshme të cilët lënë pas përshtypjet e tyre më të mira për Luarasin, për Tiranën dhe për Shqipërinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb