Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Qeveria shqiptare do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që do të investojnë në fushën e prodhimit. Është në dispozicion një grant prej 9 milionë lekësh, që do të shpërndahet në tre vjet. Granti i drejtpërdrejtë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit, do të jepet në varësi të vlerësimit të projektit. Për projektin që do të përzgjidhet, skema e financimit nga qeveria mbulon 85% të kostove të pranueshme nga buxheti i shtetit, por jo më shumë se 350 000 lekë.
Financimi
Qeveria do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes një skeme financiare të ashtuquajtur “Voucher”. Në total do të akordohen rreth 9 milionë lekë, për një periudhë trevjeçare, duke nisur që nga ky vit. Sipas Këshillit të Ministrave, fondet do të ndahen kështu, sipas viteve: për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 1 milion lekë, për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 4 milionë lekë dhe për vitin 2017, vlera e fondit të jetë 4 milionë lekë. Skema, përveç fondeve nga buxheti i shtetit, të parashikuara në pikën 1, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Qeveria iu jep ndihmë, në formë granti të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit. Në varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar nga aplikanti/tët, skema mbulon 85% të kostove të pranueshme nga buxheti i shtetit, por jo më shumë se 350 000 lekë. Objektivi kryesor i skemës është stimulimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që operojnë në fushën e prodhimit, përfshirë agro-industrinë si dhe prodhimin e programeve kompjuterike (software TIK), për t’u mundësuar atyre transferimin e drejtpërdrejtë të njohurive, nga ofruesit e shërbimeve, për inovacione, teknikat e marketingut, duke ofruar përvoja dhe praktika më të mira, që nuk janë aplikuar më parë te kompania aplikuese dhe që do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe performancës ekonomike të saj. Qëllimi i skemës është rritja dhe zhvillimi i aftësive menaxheriale dhe teknike për krijimin e produkteve të reja, proceseve ose shërbimeve inovative, si dhe mundësimi i krijimit të një lidhjeje të vazhdueshme me ofruesit e këtyre shërbimeve.
Përfituesit
Koha maksimale për të siguruar konsulencën dhe transferimin e njohurive të jetë 45 ditë. Për efekt të zbatimit të kësaj skeme, Ministria e Financave, nëpërmjet degëve të Thesarit, të pajisë me “Voucher” (kuponin e garancisë të pagesës së shërbimit) AIDA-n, aplikantin fitues të skemës dhe ofruesin e shërbimit, kundrejt kontratës së nënshkruar ndërmjet aplikantit fitues dhe ofruesit të shërbimit. Pagesa për ofruesin e shërbimeve të realizohet nga vetë aplikanti fitues i skemës, të cilit, me përfundimin e projektit, i bëhet rimbursimi i vlerës, kundrejt kuponit “Voucher”, nëpërmjet sistemit informatik financiar të qeverisë dhe kundrejt paraqitjes së dokumentacionit justifikues të shpenzimit. Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve e ofruesve të shërbimit përcaktohen në rregulloren e funksionimit të skemës “Voucher”, e cila miratohet me një urdhër të përbashkët nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ministri i Financave.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: