I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda ka folur për diskriminimin e shtresave në nevojë, duke u ndaluar tek rastet e ndërprerjes së energjisë elektrike të familjeve në pamundësi ekonomike për të paguar energjinë dhe mungesën e një akti nënligjor për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

“Kemi patur kërkesa konkrete, vendime që kanë konstatuar diskriminim për ndërprerje të eenrgjisë elektrike ndaj disa famileve që kanë rezultuar të pamundura për të paguar apo për të vendosur matësit e energjisë. Kemi vonesë në nxjerrjen e aktit nënligjor edhe pse kanë kaluar 4 vjet, është detyrim ligjor që e parashikon ligji. Ende nuk është miratuar ky akt, ka patur përçapje sporadike mes institucioneve. Ligji parashikon bashkëveprimin e 3 ministrive, Ministrisë së Energjisë, Financave dhe Mirëqenies Sociale që të draftojnë një akt dhe t’i propozohet Këshillit të Ministrave për ta miratuar. Nuk ka asnjë studim mbi impaktin social dhe ekonomik. Në bashkëpunim me organizatat dhe Shoqërinë Civile do bëjmë një studim, i cili nuk ekziston në asnjë dokument për të parë problematikat, kush do jenë kategoritë, çfarë do iu garantohet etj. Këtë studim do ia adresojmë Kuvendit. Energjia elektrike është shërbim që blihet, OSHEE e shet, por janë disa kategori njerëzish të cilët e kanë të pamundur për ta paguar, si psh personat me ndihmë ekonomike, persona me aftësi të kufizuar, pensionistët, anëtarët e komunitetit rom dhe egjiptian. Nxjerrja e aktit nënligjor duhet të qartësojë shumë gjëra”-tha Gajda.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi foli edhe për aktit ligjor për rimburësimin e energjisë elektrike dhe mungesën e një legjislacioni që parashikon vendosjen e kontatorit pa pagesë për personat në pamundësi ekonomike.

“Ekziston një akt ligjor për rimburësimin e energjisë, ka një VKM të 2014, që rimburëson përsonat me aftësi të kufizuar, pensionistët, për konsumin që ato harxhojnë. Lidhja e sahatit ka kosto dhe kemi konstatuar që s’ka legjislacion që shtresa në nevojë të mos paguajë vendosjen e kontatorit. Kemi diskriminim pasi rregulloret nuk parashikojnë përjashtim për këto familje. Një pjesë e tyre kanë detyrime të mbartura, paguajnë detyrimin e mbartur dhe konsumin, ndërkohë që janë familje me ndihmë ekonomike. Kemi rastin e një familje me një fëmijë me aftësi të kufizuar. Për një periudhë bashkëshorti ngeli pa punë, nusja ishte kujdestare e djalit. Ndihma ndaj tyre shkonte në 16 mijë lekë në muaj dhe në pamundësi për të paguar energjinë elektrike, pas 2 muajsh i ndërpresin furnizimin me energji. Fëmija me autizëm, vetëm televizori e mbante të qetë dhe pas ndërprerjes së energjisë kishte patur çrregullime. Nxjerrja e aktit nënligjor duhet të limitohet jo vetëm në rimbursim, vendosja e kontratorëve duhet të jetë falas, rimburësim për energjinë e konsumuar dhe jo ndërprerje kur këto familje janë të pamundura të shlyejnë debinë dhe të pagujnë konsumin. OSHEE ka zgjidhur sporadikisht, duhet të rregullohet situata. Jemi të fokusuar që të garantojmë parimin e barazisë dhe mosdiskriminimin”-deklaroi Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb