Ditën e sotme është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur shqiptar, Guljem Radoja.

Prej ditësh ai ndodhej në intubim në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ndërsa këtë të mërkurë nuk arriti të fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, duke ndërruar jetë. Regjisori Pirro Milkani, përmes një lidhje telefonike me studion e lajmeve në “News 24”, foli për aktorin.

Ai tha se me Guljemin njihet prej 50 vitesh dhe ruanin një miqësi familjare. Ishte pikërisht regjisori që e angazhoi aktorin në rolin e parë, në filmin “Shtigje Lufte”. Milkani tregoi se Radoja kishte një biografi jo të mirë dhe kur e mori në film, atij iu pastrua ajo, gjë që i hapi rrugë edhe për pjesëmarrjen në filmat e tjera.

Regjisori tha se është e dhimbshme që aktori u nda nga jeta në një moshë kaq të re, pasi ishte i shëndetshëm dhe i gjallë.

Ai nënvizoi se biznesmenët e qytetit të Durrësit, qytet ku ai jetonte, duhet të bënin më shumë përpjekje që të paktën, aktori të dërgohej për kurim në spitalet jashtë vendit.

“Është keqardhje! Mendova se dikush do të kujdesej më tepër për të. Biznesmenë të Durrësit, duhet të kishin bërë një kontribut, për të bërë një provë për ta dërguar jashtë shtetit. Ai ka lënë gjurmë të mira dhe nuk ishte në moshë për t’u larguar nga kjo botë. Ishte njeri korrekt, i dashur, me një familje shembullore.

Me një grua muzikante, vajzën pianiste, është e trishtë. Nuk di ç’të them, është keqardhje! Ai kishte probleme biografike dhe unë e mora në filmin Shtigje lufte në rolin e një fotografi. Në atë kohë nëse merreshe në film dhe tregohej që të rregullohej biografia. Unë e kam pasur në filmin “Eja”, në Librazhd. Kam pasur një bashkëpunim 20 vjeçar dhe kujtesë familjare për të.

Ai ishte njeri modest dhe fjalëpak. Shumë serioz në krijimin e figurave artistike që i besoheshin”, u shpreh Milkani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb