ATHINE

Heroi kryesor i Rezistencës Antifashiste të Greqisë Manolis Glezos vdiq në një spital të hënën në moshën 97 vjeç, transmetoi TV shtetëror ERT.

ERT tha se ikona e kohës së luftës, qe ishte shtruar në spital në fillim të këtij muaji me gastroenterit dhe një infeksion urinar, kishte vdekur nga ataku kardiak. Glezos kishte që në muajin nëntor 2019 që ishte nën kujdes të mjekëve, pasi kishte vështirësi me frymëmarrjen, raportojnë mediat e huaja.

Glezos ishte vetëm 18 vjeç, më 30 maj 1941, kur gjatë okupimit të Greqisë nga Gjermania naziste ai dhe miku i tij Apostolos Santas, një student 19-vjeçar i drejtësisë, u ngjitën në Akropol në mes të natës e rrëzuan flamurin nazist, pa u vënë re.

Pas luftës ai u zgjodh vazhdimisht në parlamentin e Greqisë me partitë komuniste, socialiste dhe forcat e majta për një periudhë 60-vjeçare. Në vitin 2014 Glezos u zgjodh në Parlamentin Evropian me partinë e majtë Siriza, duke u bërë deputeti i saj më i vjetër në moshën 91 vjeç.

Gjatë krizës ekonomike të Greqisë, Glezos kundërshtoi masat shtrënguese të qeverisë së tij dhe bëri fushatë për të detyruar Gjermaninë të kthejë paratë që u huazuan me forcë nga Greqia gjatë luftës.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb