Ka ndërruar jetë nga koronavirusi profesori i mjekësisë, Elmaz Eltari. 85-vjeçari ishte i shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv në QSUT, por nuk ja ka dalë ta mposhtë virusin e rëndë.

Eltari ka qenë profesor i mjekësisë në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa me humbjen e tij numri i viktimave nga Koronavirusi në vend shkon në 466. Lajmin e trishtë e jep ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila thekson se profesori nuk mundi ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm #COVID19.

“E trishtuar për ndarjen nga jeta të prof. Elmaz Eltarit, ish drejtues i klinikës infektive, një nga ata mjekë të rrallë, që njihej ndër kolegë dhe pacientë për humanizmin e tij.

Megjithë përpjekjet e kolegëve, profesori 85 vjeçar nuk mundi ta fitojë betejën me virusin e rrezikshëm #COVID19. Ngushëllime të sinqerta bashkëshortes, prof.Afërditës, familjarëve dhe miqve të prof. Elmazit!”, shkruan Manastirliu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb