NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRËS- Nëntë familje në lagjen nr.1 në qytetin e Durrësit kanë protestuar ditën e djeshme ndaj vendimit të marrë nga Përmbarimi për largimin nga banesat e tyre brenda afatit kohor të dhjetë ditëve. Përfaqësues të këtyre familjeve deklaruan se nuk mund t’u jepet ultimatum që të lënë shtëpitë dhe të dalin në rrugë të madhe në prag të dimrit, pasi nuk kanë asnjë mundësi strehimi. Ata pohuan se pronarët i kanë marrë banesat me vendim gjykate.

Ndërkohë, familjarët që aktualisht banojnë në ndërtesën nr.29 në qytetin bregdetar u shprehën se pushteti lokal dhe qeveria duhet të marrin masa për zgjidhjen e problemit të tyre. Pjesëmarrësit në tubim i kujtuan kryeministrit Edi Rama, se në vitin 2013 premtoi abrogimin e aktit normativ të qeverisë “Berisha”, për nxjerrjen e banorëve nga shtëpitë e ish-pronarëve.

Liljana Shabani, njëra prej banorëve, tha se vetëm e vdekur ka për të dalë nga shtëpia ku ka lindur dhe është bërë gjyshe. “Askush nuk na ka lajmëruar që shtëpia do t’i kalojë ish-pronarit. Ne nuk kemi asnjë mundësi ku të shkojmë. Do të dalim para bashkisë me rrobat tona. Punonjësit e Përmbarimit na thanë se për 10 ditë do të dalim nga banesat. Posta na solli letrat për të dalë nga shtëpia, ndërkohë që as nuk e njohim pronarin që t’i kërkonim që të na jepte afat. Ne nuk jemi kundër marrjes së shtëpisë nga pronari, por bashkia duhet të gjejë një zgjidhje për strehimin tonë dhe të fëmijëve”, – u shpreh Liljana Shabani.

Ndërsa, 85-vjeçarja Zyra Mura pohoi se është shumë e tronditur dhe se me pensionin e saj mban familjen prej 5 anëtarësh të djalit, që janë të papunë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Mura deklaroi se do të përfundojë në varreza nëse e nxjerrin nga shtëpia.
Zonja Zyra, çfarë ju kanë thënë punonjësit e Përmbarimit?
Jam tejet e shqetësuar, pasi na kanë thënë se duhet të dalim nga shtëpitë. Unë me djalin, nusen e dy fëmijët e tyre jetojmë në katin e dytë të ndërtesës. Këtu kemi një jetë të tërë. Të më nxjerrin mua plakë nga shtëpia ku kam gjithë jetën është krim.
Ishit në dijeni se duhej të iknit nga ndërtesa ku banojnë dhe tetë familje të tjera?
Jo, nuk na ka lajmëruar njeri. Mbrëmjen e së enjtes erdhi postieri e na solli nga një letër të gjithë banorëve. Në letër thuhej se brenda dhjetë ditëve duhej të linim shtëpitë, pasi do t’i marrë pronari. Kjo është mizore.
A keni ku të shkoni?
Nuk kemi ku të shkojmë, ndaj të thashë se kjo është mizori ndaj nesh. Unë plakë me një këmbë në varr jam, po dola në këtë të ftohtë, në varreza më çojnë. Të gjithë familjarët i kam të papunë, nuk kemi asnjë mundësi që të marrim shtëpi.
Po zgjidhje tjetër nga bashkia, banesë sociale apo me kredi të butë?
Jo, djali nuk ka marrë asnjë gjë, asnjë ndihmë nga bashkia. Ne jemi bërë për të vajtur para kryeministrit me rrecka në duar. Do t’i zëmë shtëpinë Ramës, mbase ai na mban.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: