NGA FATMIRA NIKOLLI


KORCE- Një ndërtim i ri betoni në bulevardin “Republika” në Korçë u denoncua të shtunën nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë. Ndërtimi me tri kate ndodhet në zonën muzeale të qytetit, saktësisht në bulevardin “Republika”. “Nën sytë e Ministrisë së Kulturës, e cila është e zënë me lejen e HEC në kanionet e Nivicës. QUO VADIS Mirela Kumbaro!!! Ku është Instituti yt i Monumenteve të Kulturës, që është shndërruar në një organ që jep leje ndërtimi nëpër Shqipëri dhe terrorizon profesionistët e sektorit që hapin gojën? Ku është Ministria e Kulturës, që po mbulohet me turp dhe po merr pjesë me mosveprimin e saj në shkatërrimin e aseteve kulturore e trashëgimore të vendit që duhet t’i ruajë?”, – shkruante Forumi. Atë ditë, “GSH” nuk e mori dot reagimin/sqarimin e Ministrisë së Kulturës, megjithëse e kërkoi atë.


Sqarimi erdhi të dielën. Zyra e shtypit konfirmoi se “Shtëpia në Korçë, e Tefta Babos, ndodhet në zonën historike dhe është rikonstruksion”. Në të njëjtin sqarim, thuhet se “leja për këtë është dhënë në vitin 2012 kur drejtor (i Institutit të Monumenteve të Kulturës) ishte Apollon Baçe”. “Bashkia ka pezulluar punën para disa javësh për të rishikuar projektin. Ndryshimet në projekt që do synojnë zvogëlimin e volumeve duhet të rivijnë në KKR(Këshillin Kombëtar të Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës) për miratim”. Këtu përfundon sqarimi i ditës së diel. Ndërkaq, dje, “GSH” ka kërkuar dokumentin e lejes së vitit 2012, pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe i është vënë në dispozicion.


Sipas dokumentit, që po botojmë bashkëngjitur, leja i takon Këshillit Kombëtar të Restaurimit. Vendimi mban datën 3 prill 2012, dhe mes 13 pikave (pra edhe këto vendime), në atë me numër 7 shkruhet: “MIRATOHET. Projekt rikonstruksion banese e shtesë kati, investitor Tefta Bala, lagjja nr.1, bulevard ‘Republika’, Korçë”.

Shtëpia e Flamurit
Ndërkaq, sa i takon Shtëpisë së Flamurit, zyra e shtypit pranë MK tha: “Pas përgatitjes së projektit të rindërtimit të shtëpisë siç ka qenë, nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, janë bërë negociata të gjata me pronarët, të cilët kanë kryer të gjitha etapat e marrjes së lejes së ndërtimit në bashki dhe thonë se do fillojnë ndërtimin. Por duke qenë se ne kemi humbur besimin se kjo marrëveshje midis Ministrisë së Kulturës dhe pronarëve do të bëhet, Ministria e Kulturës ka filluar procedurën e shpronësimit të truallit për ta ndërtuar vetë Shtëpinë e Flamurit”.
Shtëpia e Flamurit në Korçë, u shemb më 16 gusht të vitit 2012. Ditën e shembjes, ish-kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi(sot zëvendëskryeministër), deklaroi se kërkonin vetëm miratimin e projektit të rindërtimit, ndërsa do të financonin plotësisht ngritjen e banesës, siç ka qenë më parë.
Atëkohë, u tha se shembja e godinës (monument kulture i kategorisë së parë) nuk ka ardhur si pasojë e moskujdesjes dhe mosinvestimit në të, por si një veprim i qëllimshëm. Ndërkaq, ky vit, 2016-ta shënon 100-vjetorin e shpalljes së Korçës Republikë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: