Duke nisur nga dita e hënë e javës që vjen, në të gjithë bregdetin shqiptar do të fillojë aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nga Shëngjini se “do të fshihet nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje”.

Rama iu bëri thirrje të gjithë pronarëve të marrin masa brenda kësaj jave, në të kundërt, kryeministri iu kërkoi atyre të lexojnë Kodin Penal dhe të njihen me pasojat që i presin. Të pranishëm në këtë takim në Shëngjin ishin edhe ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe kreu i Kadastrës, Artan Lame, të cilët thanë se të dyja institucionet do të bashkëpunojnë për pastrimin e bregdetit shqiptar.

Çuçi: Do merremi me të gjitha hapësirat e zaptuara në gjithë bregdetin e Shqipërisë. Kjo do të jetë faza e parë. Në shtator do të fillojmë dhe me ndërtimet pa leje, që janë të palegalizueshme, për shkak të natyrës që kanë, me trajtimin e tyre në gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që do të fillojmë edhe me pastrimin e rrugëve nacionale nga ndërtimet e paligjshme.

Lame: Jam i bindur që vetë ndërtimet me leje në këto zona janë të prirur të pastrohen nga këto objekte, që ju bllokojnë sezonin. Në zonat fare bregdetare, po koordinojmë t’i listojmë objektet, që ligji i ka njohur për legalizim, t’i skualifikojmë në grup këto objekte. Nëse policia do të evidentonte edhe shkelje të punonjësve tanë, do e kthej shkopin edhe nga vetja, për ndonjë legalizim, të mbajnë përgjegjësi. Ksamili është një zonë shumë e madhe informale. Shfryrja e tyre për sezonin turistik është e domosdoshme për të spastruar zonën e bregdetit. Është shëtitorja në Ksmail dhe përgjatë saj, poshtë apo lart saj të vazhdojë ky spastrim.

Rama: Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë punë edhe për një arsye tjetër, sepse operacioni fillon të hënën e ardhshme. Dua t’ua përcjell mesazhin të gjithë atyre që janë në kushtet e shkeljes së rëndë të ligjit, të lexojnë Kodin penal, dhe menjëherë të marrin masa tani, se do jetë vonë deri të hënën, për t’iu shmangur përballjes. Të lexojnë kodin se çfarë i pret në momentin kur konstatohet shkelja dhe kur duhet të ballafaqohen me ligjin. E dyta, unë dua t’ua bëj shumë të qartë gjithë zinxhirit që përfshihet në këto ndërtime, që nga punëtorët e thjeshtë, që me Kodin Penal janë të gjithë pjesë e fajësisë dhe përgjegjësisë. Të gjithë do të ndalohen e penalizohen. E treta dhe më e rëndësishmja është se kjo është pasuria më e madhe që Zoti i ka dhënë këtij vendi. Kjo punë ka përgjegjësi. Unë dëshiroj nga sot këtu të jap një mesazh shumë të qartë për të gjithë ata cënues të kësaj pasurie, të tërhiqen tani, për të filluar të hequr atë që kanë bërë. Në cdo lloj situate që do të jetë ndërtesa, do të shembet, madje do të ketë edhe pasoja. Kush nuk do t’i pastrojë vetë inertet, do të paguajë rëndë edhe për këtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb