Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se “Marrëdhëniet politike midis të dy vendeve tona janë të shkëlqyera dhe zhvillohen në një mirëkuptim të plotë. Dialogu politik, marrëdhëniet miqësore, shkëmbimet e shumta e intensive kanë fuqizuar partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimit institucional në të gjitha fushat dhe nivelet. Bashkëpunimi ekonomik, shkëmbimet tregëtare dhe investimet turke në Shqipëri po rriten. Kuvendi i Shqipërisë ka mbështetur dhe do të mbështesë fuqizimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat. Shqipëria i është mirënjohëse Turqisë për mbështetjen e fuqishme të njohjes dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar si një partner i rëndësishëm i Kosovës dhe Shqipërisë në këto përpjekje.”

Kryetari i Kuvendit i shprehu Ministrit Çavuşoğlu mirënjohjen për mbështetjen për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit si edhe solidaritetin për popullin turk dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti i 24 janarit në Turqi.

Ministri Mevlüt Çavuşoğlu falenderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, për fjalët e ngrohta, vlerësimet dhe mbështetjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë dhe i transmetoi përshëndetjet e përzemërta vëllazërore të Presidentit Erdogan dhe Kryetarit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Şentop.

“Shqipëria është një partner shumë i rëndësishëm strategjik i Turqisë dhe kontributi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin nuk varen nga madhësia e vendit, por nga vendosmëria për këto kauza. Ne do të mbështesim rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat dhe investimet prej 3.5 miliard USD në Shqipëri do të pasohen nga të tjera në të ardhmen. Turqia mbështet fuqimisht rritjen e rolit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore sepse i kushton një vëmendje e kujdes të veçantë zhvillimeve në rajon. Turqia do të marrë pjesë në mbledhjen e donatorëve dhe do të nxisë vendet pjesëmarrëse për rritjen e kontributeve të tyre për të ndihmuar Shqipërinë në përballimin e rindërtimit.Ndërtimi prej Turqisë i 500 njësive të banimit për familjet e pastreha prej tërmetit të 26 nëntorit do të fillojë në fund të muajit shkurt. Përpjekjet dhe kontributi ynë për njohjen dhe rritjen e rolit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare do të rriten.”, vuri në dukje Ministri Mevlüt Çavuşoğlu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb