ELBASAN

Mliza është një nga fshatrat e Elbasanit ku popullësia vjen në rritje. Banorët as janë larguar në qytet dhe as kanë emigruar. Si rrallë ndodh në fshat, numri i lartë i fëmijëve në shkollë, detyronte mësimin me dy turne.

Për këtë shkak, me ndihmën e Emirit të Kuvajtit në fshatin Mlizë po ndërtohet një shkollë e re për arsimin fillor. Godina e re do të ketë 6 klasa shtesë, ndërtim i cili do të plotësojë të gjitha standardet.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputeti Arben Kamami inspektuan ecurinë e punimeve.

“Jo vetëm me buxhetin e shtetit, por edhe me ndihmën e qeverive mike dhe sipërmarrjeve private kemi arritur të bëjmë disa punë shumë të rëndësishme.

Kjo shkollë bëhet falë një bashkëpunimi shumë të mirë që kemi me Emirin e Kuvajtit, Sheikut Nawaf Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, të cilin gjej rastin ta falenderoj.

Kam kërkuar që cilësia të jetë më e mira dhe po ashtu të plotësohet edhe kabineti i informacionit.

Qëllimi është që në një shkollë në Mlizë apo në një shkollë në Tiranë, fëmijët të kenë të njëjtat standarde” tha Balla.

Balla gjithashtu shtoi se rikonstruksioni i rrugës që bashkon dy lagjet e fshatit Mlizë do të jetë objektivi i ardhshëm i cili do të krijojë një unazë në këtë zonë të bukur të Elbasanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb