Kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën në mbrëmje ndeshjen e fundit për këtë vit. Miqësorja ndaj Armenisë mund të jetë njëkohësisht edhe e fundit për trajnerin Edy Reja në krye të Shqipërisë, kontrata e të cilit përfundon më 24 nëntor dhe nuk ka asnjë sinjal për rinovimin.

Ndonëse me mungesa të shumta, kuqezinjtë do të kërkojnë fitoren në “Air Albania”, si për tifozët, ashtu edhe për egon personale. Një mundësi shumë e mirë edhe për disa elementë të rinj, sidomos atyre që vijnë nga kampionati vendas.

Përballë është një rival me të cilin Shqipëria është ndeshur 5 herë, me një bilanc shumë pozitiv, 4 fitore dhe 1 barazim, duke shënuar 11 gola dhe pësuar vetëm 2 gola, ku në memorien e shqiptarëve mbetet suksesi 0-3 në Armeni, ku kuqezinjtë siguruan kualifikimin historik në Euro 2016.

Megjithatë, që atëherë gjërat kanë ndryshuar shumë, Armenia është rritur shumë dhe këtë e tregoi edhe në miqësoren e fundit në Kosovë, teksa fitorja i iku nga duart vetëm në minutat shtesë. Duke qenë se një pjesë e mirë e biletave janë shitur në paketë së bashku me atë ndaj Italisë, pritet një numër i madh tifozësh. Ndeshja do të startojë në orën 17:30.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb