Tekniku i Juves, Thiago Motta doli në konferencë para ndeshjes ndaj Napolit.

“Kolo Muani titullar, në vend të Vlahovic? Mund të luajë edhe në krahë, do ta shohim, – tha Motta. – Është një lojtar i nivelit të lartë, i marrë për të përmbushur nevojat e mëdha të Juventusit. Me siguri, mund të na ndihmojë të fitojmë”.

Gjendja e grupit dhe të ardhurit e rinj…
Përshtatja e dy lojtarëve të rinj ka shkuar shumë mirë. Grupi është në formë të mirë,  të gjithë janë të gatshëm, përveç Bremer, Cabal dhe Milik.

Përballja me Napolin dhe puna e deritanishme…
Nuk kemi situata të ngjashme me Napolin. Jam shumë i kënaqur me disa aspekte, ndërsa me disa të tjera më pak, sidomos me barazimet e shumta, për të cilat kam folur më parë. Ne duam të punojmë për të arritur fitore. Jemi një skuadër e re, por me shumë talent. Në fillim të sezonit patëm dëmtime, të cilat i përballuam me qëndrimin e duhur. Pastaj, mos harroni se ka pasur ndryshime të rëndësishme në skuadër. Ndaj Napolit do të zhvillojmë një ndeshje të madhe.

Distanca me Napolin…
Shifrat tregojnë realitetin. Napoli është në krye, sepse është një skuadër e madhe, me një trajner të aftë. Ata janë të parët me meritë. Ne jemi pak prapa tani. Të shtunën do të jetë një ndeshje e madhe, ku duam të tregojmë versionin tonë më të mirë. Duam të fitojmë kundër liderit të kampionatit. A ndjehemi inferiorë? Kjo gjë nuk është në diskutim…

Kolo Muani si stimul për Vlahovic?
Kolo Muani ka ardhur për të plotësuar nevojat e klubit. Pas ndeshjes me Bruges kam bërë disa vërejtje për sulmuesit tanë, por kjo nuk ishte kritikë. Nuk kam kritikuar kurrë një lojtar timin. Qëndrimi i lojtarëve të mi është gjithmonë i përsosur. I njoh vlerat e sulmuesve tanë dhe e di që mund ta ndihmojnë ekipin. E di sa e vështirë është të japësh më të mirën kur ka vështirësi të jashtme, sepse edhe unë kam luajtur dhe e njoh situatën.

Shumë lojtarë në dispozicion…
Gjëja më e vështirë është të lësh jashtë lojtarë që meritojnë të luajnë. Konkurrenca dhe gara brenda skuadrës janë të shëndetshme. Në një klub si i yni është normale që ekziston konkurrenca. Me kaq shumë ndeshje për të luajtur, kjo do ta rrisë nivelin si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje.

Përballja me Napolin…
Pres një ndeshje ndryshe nga ajo e fazës së parë. Zakonisht ata mbajnë një bllok të ulët dhe kundërsulmojnë, prandaj kanë pësuar pak gola. Duke luajtur në shtëpinë e tyre, do të përpiqen ta diktojnë lojën. Ne duhet të konkurrojmë me ta për të marrë lojën në dorë, të bëjmë një fazë të mirë mbrojtëse, të organizuar dhe, kur të kemi topin, t’i sulmojmë me ekuilibër, duke shfrytëzuar situatat ku ata mund të vuajnë.

Diçka më shumë për situatën e Vlahovic…
Kolo Muani dhe Nico mund të luajnë edhe në krahë. Dusan ka luajtur shumë, ka pasur një dëmtim që e ka ndalur pak. Tani po rikuperohet. Ndaj Napolit do të shohim kush do të luajë nga fillimi dhe kush gjatë ndeshjes.

Rëndësia e Locatelli…
Është jashtëzakonisht i rëndësishëm në dhomën e zhveshjes. Me normalitet dhe pa forca të jashtme, ai është bërë kapiteni i ekipit. E ka fituar këtë rol në stërvitje, me qëndrimin dhe performancën e tij. Ai bën shumë për ekipin, si në rolin natyral, ashtu edhe kur luan më i tërhequr. Ka gjithmonë qëndrimin e duhur dhe nuk ankohet kurrë.

Diferencat me Napolin dhe vështirësitë e Juventusit…
Kur fola për vështirësi, përmenda edhe dëmtimet e paparashikuara dhe gjëra të tjera, që i kemi kaluar me qëndrimin e duhur. Në shumë ndeshje kemi performuar mirë, edhe në situata të vështira, por nuk kemi arritur rezultatet që meritonim. E dimë që jemi Juventusi dhe gjëja më e rëndësishme është të fitojmë. Me performanca të mira, ka më shumë mundësi për rezultat. Kësaj here do të luajmë kundër një ekipi të madh, por duam të jemi më të mirë për të fituar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb