Brazili do të luajë sot ndeshjen e fundit në grup kundër Serbisë ku do t’i mjaftonte një pikë për të siguruar kualifikimin në fazën e nokautit.

Trajneri i ‘seleçaos’, ‘gjenerali’ Tite ka paralajmëruar lojtarët e tij të qëndrojnë të ftohtë dhe të përqendruar: “Ka momente që duhet të ruash gjakftohtësinë. Presioni në ndeshjen e fundit, sidomos në pjesën e dytë ishte i lartë.

“Një barazim do t’i kishte komplikuar gjërat.”

Tite do të mbajë të njëjtin formacion si në dy ndeshjet e para, dhe gjithashtu thotë se Neymar-it do t’i duhet edhe një ndeshje tjetër për të qenë 100%.

“Neymar është në fazën e riaftësimit pasi është një lojtar shumë i talentuar. Ai ka nevojë për një tjetër ndeshje për të qenë në formë ideale si fizikisht ashtu edhe teknikisht.

Të gjithë ne duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe të mos ia japim të gjitha Neymar-it.”

Ndaj Kosta Rikës, Neymar u rrëzua në mënyrë të ekzagjeruar për të fituar penalltinë – një vendim që u anulua nga VAR. Ish-trajneri i Real Madrid Fabio Capello ishte një nga ata që kritikuan sulmuesin e PSG, duke e akuzuar për simulim, dhe Tite tani i kundërpërgjigjet italianit.

“Si trajner, Capello, kjo është për ty. Nga një trajner te tjetri, ishte një penallti. Ok, kaq mjafton.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb