Trajneri Gianni de Biasi dhe Lorik Cana kanë dhënë pasditen e sotme një konferencë për mediat për ndeshjen me Zvicrën. Trajneri De Biasi tha se ndihet krenar për grupin, i cili edhe na solli në Euro 2016.

“Presion nuk kam. Kam pritshmëri të mëdha. Shpresoj që në këtë turne djemtë do të japin më të mirën dhe mos të kënaqen. E dimë vlerën e kundërshtarëve, por ndeshjet nisin nga rezultati 0-0, duhet ti luajmë me përqendrimin e duhur dhe me bindje. Besoj se ndeshja me Zvicrën nuk është vendimtare, është sfida e parë dhe do të ishte mirë për ne, për lojtarët, që ta nisnim mbarë, në mënyrë që të krijojmë besim pas thuajse 20 ditëve grumbullim. E rëndësishme është që të lexoj sinjalet që do të më japë skuadra, për ti kuptuar në mënyrën e duhur. Nuk është një derbi, sepse jemi larg nga pikëpamja gjeografike. Zviceranët janë zviceranë, ndërsa shqiptarët janë shqiptare, kanë një mentalitet të ndryshëm. Dy skuadrat do të përballen me respekt dhe në fund shpresoj që të arrijmë rezultat pozitiv. Xhaka? Taulanti ishte i dëmtuar me Baselin, koha kaloi dhe u rikuperua duke u stërvitur normalisht me ekipin. Ai është në formë shumë të mirë fizike dhe psikologjike, ashtu si edhe pjesa tjetër e ekipit. Jemi gati për të debutuar dhe duam ta bëjmë në mënyrën më të mirë të mundshme.”, tha De Biasi.

Ndërsa kapiteni Lorik Cana u ndal në faktin se mes dy skuadrave ka shumë lojtarë që janë miq mes tyre.

“Gjithçka do fokusohet në fushë, dhe ne do të luajmë me zemër. Kemi arritur këtu duke luajtur me zemër. Forca e jonë është përqendrimi dhe vendosja në fushë. Jemi përmirësuar ndjeshëm, dhe jemi në nivelin e duhur. Ne jemi munduar të afrojmë lojtarët më të mirë. Mes dy skuadrave ka shumë lojtarë që janë miq mes tyre. Na ka munguar përqendrimi si në të kaluarën dhe e kemi pësuar, por kemi treguar një ecuri të mirë dhe kemi marrë pak gola në fazën kualifikuese. Do të mbështetmi në të njëjtën mënyrë. Defektet e vogla janë gjëra të përmirësueshme, nuk janë ndonjë problem i madh dhe besoj se çdo gjë do të jetë në nivelin e duhur. Nëse ne jemi më të fortë, do fitojmë ne”,-tha Cana.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: