ELBASAN-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, zhvilloi sot një vizitë në Drejtorinë e Policisë Elbasan, ku edhe u njoh nga afër me ecurinë e punës së kësaj drejtorie.

Gjatë një prononcimi për mediat pas takimit, ministri Tahiri foli për masat që ka marrë Policia e Shtetit në lidhje me ndeshjen Shqipëri–Serbi, që do të zhvillohet në Elbasan- Arena.

“Kryeministri ka ngritur një grup pune për të marrë të gjitha masat e sigurisë në lidhje me ndeshjen, Besoj se qasja e Policisë dhe të gjithë institucioneve në bashkëpunim edhe me Federatën është qasja e duhur që dita e ndeshjes të jetë ditë feste për qytetarët dhe jo ditë për t’u cënuar nga çdo akt që do të ishte i paligjshëm për ne, traditën dhe vendin. Ne duhet të tregojmë vlerat e shoqërisë sonë duke mbështetur kombëtaren, por duke treguar edhe maksimumin e mikpritjes dhe qytetarisë”.

Ministri Tahiri u ndal edhe tek zyrat e shërbimit unik, të hapura së fundmi në Drejtorinë e Policisë me qëllim dhënien e shërbimit ndaj qytetarëve. Ai tha se “është shumë e rëndësishme të vlerësojmë punën e policisë lidhur jo vetëm me parandalimin e veprave penale, por edhe shërbimin që i japim qytetarëve”.

“Për ne është themelore që Policia e Shtetit të marrë fytyrën e qytetarëve duke u ofruar qytetarëve shërbime në kohë të shpejtë, pa burokracira dhe mbi të gjitha duke luftuar maksimalisht korrupsionin. Zyrat e shërbimit unik që janë edhe në Elbasan janë kthyer në zyra ku merret shërbimi intensiv. Ne besojmë që partneriteti ndaj qytetarëve shton besimin tek Policia. Kjo është parathënia për të patur rezultate solide në luftën kundër krimit, paligjshmërisë, dhe informalitetit”, tha Tahiri.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb