Man.United rikthehet në nivele të larta, përballë Tottenham zhvilluan ndeshjen më të mirë në periudhën Ten Hag. “Djajtë e kuq” ishin perfekt duke mposhtur “gjelat” me rezultatin e pastër 2-0, mbase rezultati mund të ishte edhe më i thellë, por një super Hugo Loris mbajti Tottenham në lojë, mbi të gjitha në pjesën e parë. Me fillimin e fraksionit të dytë, Fred gjeti një devijim me fat duke kaluar United në avantazh.

Ekipi i Antonio Contes ishte i pafuqishëm për të reaguar, dukeshin të dorëzuar në fushë përballë supermacisë së United. Në minutën e 69-të, me një goditje plot klas, Bruno Fernandes realizoi edhe golin e dytë për Man,United duke i dhuruar një trepikësh të artë që i vendos në vendin e 5-të në tabelën e klasifikimit në kuotën e 19 pikëve.

Një fitore minimale, por jetike, siguroi edhe Liverpool përballë West Ham. Nunes në minutën e 22-të realizoi golin për të kuqtë e Jurgen Klopp, por po kaq përcaktues ishte edhe portieri Alison që ruajti këtë tre pikësh duke pritur një 11-metërsh në fundin e pjesës së parë. Për momentin, Liverpool e sheh veten në vendin e 7-të në kuotën e 16 pikëve.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb