Mbrëmja e sotme rezervoi ndeshjen më të bukur të Euro 2020 deri më tani. Plot 5 gola u shënuan në Amsterdam, me Holandën që fitoi 3-2 ndaj Ukrainës dhe tani ndan kreun me Austrinë.

Pjesa e parë është mbyllur në barazim 0-0. Holandezët kanë patur disa raste për të kaluar në avantazh. Dy më të rrezikshmit janë krijuar nga Depay dhe Ëijnaldum. I pari bëri një aksion spektakolar individual në minutën e dytë, por është ndalur në momentin më të bukur nga portieri Bushchan.

I dyti ka lëshuar një goditje të fortë në minutën e 39-të, por numri 1 i ukrainas ka treguar klasin e tij duke e ndaluar gjuajtjen me një lëvizje të dorës. Ukrainasit kanë pretenduar një penallti në fundin e pjesës së parë, por nuk është parë as nga VAR.

Pjesa e dytë flet në favor të Holandës. Sfida është zhbllokuar me Ëijnaldum në minutën e 52-të. Ylli i ri i PSG-së ka shënuar me lehtësi pas “asistit” të marrë nga portieri. Pa kaluar as 7 minuta Ëeghorst shënon edhe të dytin. Sistemi VAR ndërhyri, por goli u quajt i rregullt.

Por Holanda shokohet. Ukraina ka ngushtuar diferencat dhe ka barazuar në katër minuta. Yarmolenko ka realizuar në minutën e 75-të me një gjuatje të mrekullueshme nga jashtë zone. Katër minuta më mbrapa ka ardhur goli i barazimit me kokë nga Yaremchuk.

Gjithsesi, në 85’ Holanda rikthehet në avantazh me anë të Dumfries. Ake kroson bukur në zonë dhe shfrytëzohet mrekullisht nga Dumfries, duke realizuar me kokë, me portierin ukrainas që nuk ka cfarë të bëjë. Holanda menaxhon mirë minutat e mbetura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb