Champions League mbyll sot grupet e para teksa luhen 8 sfida të javës së 6-të dhe të fundit.

Në dy grupe llogaritë janë ende të hapura dhe pritet ‘luftë’ mes disa skuadrave. Më e ndezur mbetet situata në grupin H mes PSG, Manchester United dhe Leipzig që kanë të treja nga 9 pikë. Më të favorizuar janë parizienët që presin Istanbul Basaksehirin e eleminuar tashmë.

Nga ana tjetër Leipzig dhe Manchester United luajnë në Gjermani, me ‘Djajtë’ që avantazhin e vetëm kanë fitoren në ”Old Trafford” dhe i mjafton një barazim për të lënë pas gjermanët. Nga ana tjetër një fitore e Leipzig nxjerr jashtë anglezët.

Po ashtu në grupin F Lazio mbetet ekipi më i rrezikuar pasi ka shansin si për vendin e parë, ashtu dhe për t’u eleminuar. Italianët presin në Romë Club Brugge. Diferenca mes tyre është dy pikë, por belgët me një fitore sot nxjerrin jashtë loje Lazio-n. Ndërkaq Borussia Dortmund kryeson me 10 pikë grupin dhe ka siguruar kualifikimin, por jo vendin e parë.

Në grupin G luhet kryesfida e shumëpritur Barcelona-Juventus apo ndryshe Messi-Ronaldo. Italianëve u duhet një fitore me diferencë mbi 2 gola apo me më shumë gola se 0-2 për t’i marrë vendin Barcelonës që i mjafton një barazim për t’u konfirmuar si ‘kokë’ e grupit.

Ndërkaq në grupin E luhet vetëm sa për statistikë pasi Chelsea ka siguruar vendin e parë, Sevilla të dytin, Krasnodar zonën e Europa League kurse Rennes eleminohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb