Nuk ka qetësi në këtë kampionat. Prej më shumë se tri javësh ka shpërthyer skandali i trukimeve në Kategorinë e Parë me akuza të drejtpërdrejta mes aktorëve të garës. Dhe, kësaj here, të gjithë kanë folur me ndeshje dhe emra konkretë.

Java e fundit e kampionatit ka provokuar edhe një herë një lumë akuzash për trukime ndeshjesh dhe skenarë ndaj njërës apo tjetrës skuadër. Një ditë më parë, ishte administratori i Sopotit, Iridion Bahiti, që zbardhi për gazetën një skenar të Turbinës dhe Pogradecit ku vendësit fituan 8-3.

Bahiti akuzonte të dyja ekipet dhe veçanërisht Turbinën se kishte pakt që do të aktivizonte një lojtar të pafederuar në lojë që Pogradeci të fitonte në tavolinë, nëse Luftëtari nuk arrinte të mundte Apoloninë. Në këtë situatë, presidenti i skuadrës cërrikase, Gentian Gjoka, ka kontaktuar dje administratorin e Sopotit. Ata kanë shkëmbyer disa mesazhe mes tyre ku kreu i Turbinës akuzon ndër të tjera se ka qenë vetë Bahiti ai që u ka dhënë urdhër lojtarëve për të hapur portën në sfidat me Elbasanin, Luftë- tarin apo Pogradecin.

Mesazhet
Gazeta ka arritur të sigurojë mesazhet që Gjoka dhe Bahiti kanë shkëmbyer mes tyre gjatë ditës së djeshme.

“Verifikoi gjërat përpara dhe pastaj shkruaj sa të duash. Ke pamje filmike dhe jo si takimet e tjera, por tre vëzhgues që bënin presion pa filluar ndeshja. Ke protokolle tre copë, merri, shiko, verifiko dhe shkruj çfarë të duash. Por, të hedhësh baltë mbi klubin tim, nuk ta lejoj. Që nga ky moment do t’i drejtohem Prokurorisë për kallëzim penal ndaj teje”, i ka shkruar fillimisht Gjoka Bahitit pas akuzave në gazetë. Administratori librazhdas i ka kërkuar emra presidentit të skuadrës cërrikase.

“Emrat je ti që ia le Pogradecit, Elbasanit dhe Gjirokastrës. Kështu thonë të gjithë lojtarët e tu dhe urdhrat që jepnit të linit golat në Elbasan. Kam 12 vjet që drejtoj klubin me djersë dhe jo si ju”, ka qenë përgjigjja e drejtpërdrejtë e Gjokës duke akuzuar Bahitin.

Këto akuza janë në vazhdën e atyre që kanë shpërthyer prej javësh në kampionatin e Kategorisë së Parë. Ndërkaq, gara ka përfunduar, në një kohë që kanë mbetur për t’u mësuar edhe verdiktet përfundimtare si skuadra që do të shpallet kampione dhe ato që do të jenë pjesë e garës sezonin e ardhshëm. Këto do të përcaktohen në ndeshjet e së enjtes. /Panorama Sport/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: