Kryetari i Bashkisë së Peqinit, Lorenc Tosku, pasi është njohur me vendimin e komisionit të Disiplinës mbi përjashtimin nga gara dhe zbritjen një kategori më poshtë të ekipit të Shkumbinit, mjaft i indinjuar ka reaguar menjëherë, duke theksuar se vendimi është jo vetëm absurd dhe totalisht ekstrem, por gjithashtu do të apelohet dhe do të kërkohet që vendimi të merret vetëm duke u bazuar në kodin e drejtësisë sportive, madje duke ua bërë të ditur këtë vendim edhe institucioneve europiane sportive.

“Duke marrë shkas nga vendimi që mori komisioni i Disiplinës në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Peqin pas përfundimit të ndeshjes midis skuadrës sonë dhe ekipit të Dinamos, ku u tentua që të goditej gjyqtari i kësaj sfide Sokol Bebja, në cilësinë e kryetarit të bashkisë Peqin dhe si përfaqësues i gjithë popullit të Peqinit e cilësojmë vendimin absurd dhe të pabazuar në legjislacionin përkatës.

Pikë së pari më duhet të sqaroj se ne si klub jemi kundra akteve të dhunës të cilat mund të cënojnë mbarëvajtjen e një sfide, mirëpo ajo që ka ndodhur në Peqin është krejt diçka tjetër dhe që nuk mund të cilësohet sikur është cënuar mbarëvajtja e kësaj sfide. Gjatë gjithë lojës së rregullt pavarësisht padrejtësive arbitrare që u bënë ndaj ekipit tonë, duhet thënë se gjyqtarët për asnjë moment nuk janë cënuar apo të jetë cënuar mbarëvajtja e kësaj sfide, ku të dyja ekipet janë ndarë shumë miqësisht dhe në mënyrën më korrekte të mundshme.

Pas përfundimit të ndeshjes veprimi i një të riu të irrituar që tentoi të godiste arbitrin e ndeshjes, dhe që u izolua në kohë, nuk mund të merret si fakt për të dënuar një skuadër apo aq më keq një qytet të tërë. Unë sot flas në emër të gjithë sportdashësve të rregullt dhe korrektë peqinas që mbështesin skuadrën në mënyrën e duhur, dhe komisioni i disiplinës në fjalë që ka marrë këtë vendim absurd, nuk mund të penalizojë një qytet të tërë për shkak të veprimit të një adoleshenti, që siç e thashë pas tentativës është neutralizuar në kohë dhe gjyqtarët apo edhe zyrtarët janë larguar nga stadiumi pa asnjë problem konseguent.

Më vjen keq që edhe në ditët e sotme ku gjithkush është i aftë që të bëjë një shpjegim të thjeshtë të legjislacionit sportiv në fuqi, nuk mund kurrsesi që vendimin e marrë të mos e bazojë në atë që është e shkruar “e zeza në të bardhë” mbi mbarëvajtjen e një ndeshjeje futbolli. Sigurisht që vendimin do ta apelojmë dhe do të kërkojmë që ndaj nesh të zbatohet vetëm rregullorja e sqaruar përpikmërisht ashtu siç është në kodin sportiv. Më tej nëse nuk vendoset drejtësia që ne kërkojmë, atëherë ne si klub do ti drejtohemi edhe instancave europiane të futbollit, si UEFA, ka deklaruar ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb