TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur sërish për vendimin e SHBA-ve për të shpallur ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha dhe faktet për të cilat është në dijeni, nëse ky vendim ka të bëjë me atë që deklaron SHBA, apo me ato që thotë Berisha.

Basha tha në “Real Story” në News24 se SHBA-të kanë folur qartë në një vendim publik.

“Konteksti i ri nuk ndryshon asgjë në ato fakte që janë fakte dhe jo opinione. SHBA-të kanë folur qartë në një vendim publik për arsyet që z. Berisha është shpallur ‘non grata’. Kanë folur dhe më qartë që procesi ka nisur në administratën Trump, kanë folur qartë kur kanë thënë që është një punë e përbashkët e disa agjencive. E kam shprehur në takimet e mia se qëndrimi i pandryshueshëm i PD-së i shpallur nga unë është pacenueshmëria e integritetit territorial të Kosovës. Këtu mendoj që mbaron dhe kjo story. E vetmja gjë që kemi pasur në dorë, ishte vendimi për PD. Kishte dy rrugë, njëra që e çonte PD-në drejt një partie non grata dhe tjetra që u konfirmuar nga 5004 delegatë të shtunën, PD do të vazhdojë rrugën drejt së ardhmes, për hir të të gjithë shqiptarëve dhe familjeve shqiptare”, deklaroi Basha.

Sa i përket mbështetjes për organet e drejtësisë në ndëshkimin e korrupsionit, pavarësisht ngjyrës politike, Basha theksoi se PD nuk do bëjë në asnjë moment avokatin e ndonjë zyrtari apo ish-zyrtari të PD. Sipas tij, një drejtësi e pavarur është aleati më i mirë për opozitën.

“Jo vetëm kaq. Ne e kemi bërë të qartë që prej fillimit, që ne nuk do bëjmë në asnjë moment avokatin apo strehën e ndonjë zyrtari apo ish-zyrtari të PD-së. Në veçanti në opozitë një drejtësi e pavarur efektive është aleati më i mirë. Përkundrazi një drejtësi e kapur është aleati më i mirë i një qeverie të korruptuar.

Inceneratorët, një vjedhje kaq e hapur, jo vetëm në shumën por dhe në arrogancën. Në kohën që plasi skandali, u arrestua ministri i Ramës këta kanë bërë përsëri transaksion.

Me këtë logjikë ne kemi mbështetur reformën në drejtësi. Me këtë logjikë kemi diktuar ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi, por jemi tradhtuar në 6-7 ligje që kaluan pa konsensusin tonë që shfokusuan shumë prej proceseve. Kemi insistuar dhe insistojmë që SPAK-u të jetë në krye të detyrës. Në dy raste kemi qenë dëshmitarë se si në mënyrë të dhimbshme SPAK e ka hequr përgjegjësinë, për dosjen 184 dhe 339. Më në fund kemi provën e parë që është arrestimi i një ministri”, tha Basha.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: