NGA DARINA TANUSHI*

TIRANË- Kryetari i Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, propozoi dje në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste ridiskutimin mes deputetëve socialistë dhe aleatëve qeverisës të projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 ‘Kodi penal i Republikës së Shqipërisë’ të ndryshuar”. Burimet nga mbledhja e grupit parlamentar bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se Braçe e ka bërë këtë propozim nisur nga ndjeshmëria që ka krijuar diskutimi i këtij projektligji, në të cilin parashikohet ashpërsim të masave të dënimit për ata biznesmenë që vërehen me shkelje tatimore apo doganore. Braçe mësohet të ketë thënë se ky është një ligj që kërkon më parë një rakordim qëndrimesh brenda PS-së por që shpreh sipas tij edhe domosdoshmërinë për t’u diskutuar me aleatët para votimit.

Sipas tij duhet të ketë një rakordim qëndrimesh brenda mazhorancës. “Duhet të diskutojmë edhe me aleatët. Mua nuk më shkon të shkojmë në seancë e të ndryshojmë nën presion atje, nuk bëhet e duhura nën presion. Pra, duhet të diskutojme e vendosim për të unifikuar qëndrimin në përmbajtje dhe në votë”, – mësohet të jetë shprehur Braçe. Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, është shprehur në përgjigje të Braçes se në fillim duhet të diskutohet dhe të arrihet dakordësia brenda vetë grupit parlamentar të PS-së, pastaj me aleatët.

Burimet nga grupi i ligjvënësve socialistë bënë të ditur se ky projektligj ka sjellë reagime edhe mes vetë deputetëve që kanë ardhur aty nga biznesi. Në një nga mbledhjet e fundit të Komisionit të Ekonomisë, ku është diskutuar ky projektligj ishte zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, e cila sqaroi projektligjin, duke thënë: “Më së shumti ky projektligj synon ashpërsim e masave në luftën kundër kontrabandës dhe informalitetit, duke bërë një ndryshim thelbësor në lidhje me heqjen e masës kundërvajtje administrative gjobë dhe konsiderimin e tyre vepër penale”.

Por, opozita tha se propozimet e qeverisë janë formalizim i dhunës, presionit dhe kërbaçit ndaj biznesit. Edhe një nga deputetët e LSI-së, Gjovalin Kadeli, kërkoi që masat të mos jenë drastike pasi mund të cenojnë aktivitetet private, duke i cilësuar masat të tejkaluara.

TOKAT
Një tjetër çështje e ngritur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së ishte edhe ajo e hipotekave për tokat e fermerëve që i kanë përfituar me ligjin 7501. Deputeti i Malësisë së Madhe, Paulin Sterkaj, mësohet se e ka ngritur këtë shqetësim, nisur edhe nga kërkesat dhe pyetjet e banorëve të zonës së tij elektorale. Ndërkohë, ishte zv/kryeministri Niko Peleshi që sqaroi se kjo çështje do të zgjidhet me një ligj të veçantë vetëm për këtë kategori tokash. Por Peleshi mësohet të ketë thënë se kjo kategori pronash nuk do të ketë problem.

Në fillim të marrjes së pushtetit, hipotekimi i çdo prone që është fituar me ligjin 7501 ishte premtim i Partisë Socialiste. Në një nga mbledhjet e grupit, vetë kryeministri Rama u kërkoi deputetëve që të merren intensivisht për pajisjen e fermerëve me certifikatat e pronësisë së tokave bujqësore. “Brenda këtij mandati, ky proces duhet të përfundojë sepse nuk mund të dalim para fermerëve me premtime të parealizuara”, u është drejtuar Rama deputetëve të PS-së.

DISKUTIMET NË GRUPIN PARLAMENTAR TË PS
PAULIN STERKAJ: Është një shqetësim që dua ta ngre. Ka mjaft shqetësim nga banorët që janë të interesuar. Si do t’i marrin hipotekat ata që kanë përfituar tokën me ligjin 7501? Kërkohet një sqarim, se si do të zgjidhet kjo çështje.
NIKO PELESHI: Sigurisht është punuar edhe për këtë. Do të zgjidhet me një ligj të veçantë. Nuk do të ketë asnjë problem për ata që kanë përfituar tokat me ligjin 7501.
ERJON BRAÇE: Jemi duke diskutuar nëpër komisione ndryshimet në Kodin Penal. Unë propozoj që ky diskutim të risillet edhe një herë në axhendën e grupit sepse ka shqetësime nga deputetët me të cilët kam biseduar në lidhje me ndryshimet, kryesisht për ashpërsimin e ndëshkimeve për rastet e kontrabandës apo edhe të fshehjes së të ardhurave. Ne e kemi diskutuar dhe kaluar si komision. Ndërkohë kam hasur sensibilitete të ndryshme, nga deputetë të ndryshëm si dhe nga të interesuar deri tek një drejtues Dhome Tregtie që në mënyrë të turpshme i bënte thirrje deputetëve të linin mandatet e të mos votonin ligjin se do i mbante ai me rroga tre herë më të larta.
Sensibilitete në komision kishte dhe nga deputetë të aleatit tonë në koalicion. Ndaj mendoj që duhet të informojmë së pari sepse ka mungesë informacioni me të cilin spekulohet. Fjala bie ndëshkimi me burg i evazionit egziston sot në Kod ashtu siç është shumë i rëndë si ndëshkim në Gjermani, Spanje, Slloveni, Kroaci, Serbi e më gjerë. Më tej duhet të diskutojmë këtu për të vendosur mes nesh. Së fundi duhet të diskutojmë edhe me aleatët. Mua nuk më shkon të shkojmë në seancë e të ndryshojmë nën presion atje, nuk bëhet e duhura nën presion. Pra, duhet të diskutojme e vendosim për të unifikuar qëndrimin në përmbajtje dhe në votë.
ARTAN GAÇI: Edhe unë mendoj të kemi një diskutim të gjerë në grupin tonë parlamentar para seancës plenare të votimit, pasi është një projektligj i cili duhet parë me kujdes në lidhje me marrëdhënien tonë me biznesin.
GRAMOZ RUÇI: Është një diskutim i rëndësishëm, kështu që një herë të biem dakord brenda grupit, pastaj të konsultohemi edhe me aleatët. Ne do të kemi këtu edhe ministrat që të na informojnë se çfarë ka ndryshuar në projektligj, si ishte si është bërë dhe çfarë efektesh ka çdo ndryshim në ekonominë dhe në klimën me biznesin.
Por mendoj se kjo do t’i takojë një mbledhjeje tjetër të grupit tonë parlamentar pasi të kenë kaluar të
gjitha këto faza.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb