Me rastin e 27 Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, Presidenti i Republikës Meta përshëndeti sot, nëpërmjet një video-konference, konferencën ndërkombëtare “Një botë në udhëkryq” të organizuar në Izrael nga Ambasada Ndërkombëtare e Krishterë e Jeruzalemit.

Teksa ka ndezur një qiri, Meta ka theksuar në mesazhin e tij se Shqipëria është shembull për mbarë botën për harmoninë unike ndërfetare.
“Jemi krenarë që Shqipëria ishte kombi në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, sepse familjet shqiptare, të të gjitha feve, të krishterë dhe myslimanë, mbrojtën popullin hebre në Shqipëri gjatë atyre viteve të errëta”, shprehet Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MESAZHI I PLOTË
Mesazhi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta:
I nderuar Dr. Jürgen Bühler,
Të dashur miq,
Ju përgëzoj të gjithëve për Konferencën Vizioni mbi Udhëheqjen 2022 dhe punën e mirë që po bëni në mbështetje të Izraelit. Duke mësuar dhe promovuar qëllimin e Perëndisë për Izraelin dhe kombet e Lindjes së Mesme.

Ju sjell përshëndetjet e mia për të gjithë ju, nga Shqipëria, një vend që ka lidhje të hershme dhe shumë të ngushta me Izraelin.

Apostulli Pal erdhi në Shqipëri dy mijë vjet më parë dhe ndërtoi kishat e para në historinë e krishtërimit.

Siç shkruhet në Bibël: “Unë e kam shpallur plotësisht Lajmin e Mirë nga Jeruzalemi deri në Iliri”.

Sot më 27 janar, në përvjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, NE KUJTOJMË – e gjithë bota kujton – miliona jetë hebrenjsh të humbur gjatë Holokaustit.

Jemi krenarë që Shqipëria ishte kombi në të cilin numri i hebrenjve ishte më i madh pas Luftës së Dytë Botërore se para luftës, sepse familjet shqiptare, të të gjitha feve, të krishterë dhe myslimanë, mbrojtën popullin hebre në Shqipëri gjatë atyre viteve të errëta.

Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve dhe asnjë jetë hebreje nuk humbi në Shqipëri. Sepse shqiptarët e vlerësojnë jetën dhe mbrojnë dinjitetin njerëzor pavarësisht fesë dhe prejardhjes.

Shqiptarët e të gjitha feve kanë jetuar ndër shekuj në paqe, harmoni dhe tolerancë. Prandaj jam krenar që vendi im është shembull për mbarë botën, me një harmoni unike ndërfetare.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë krerët fetarë në Shqipëri të cilët janë ambasadorët e paqes për vendin tonë. Dhe falenderoj gjithashtu Pastorin Gentjan Dervishaj, për punën e tij të mirë dhe të mrekullueshme si Drejtues i Ambasadës Ndërkombëtare e Krishterë e Jeruzalemit këtu në Shqipëri.

Të dashur miq,
Bota sot është në udhëkryq. Bota ka nevojë për më shumë tolerancë, pajtim, demokraci, respekt për dinjitetin njerëzor. Dhe mbi të gjitha besim. Sepse besimi mund të kapërcejë çdo ndarje dhe frikë.

Besimi është një udhërrëfyes për jetën e gjithsecilit dhe për çdo komb. Për Izraelin, Shqipërinë, Lindjen e Mesme, Evropën, Amerikën dhe çdo komb në botë.

Rruga drejt një të ardhmeje më të mirë është përmes paqes, harmonisë, respektit dhe ecjes në të vërtetën e Zotit.

Vazhdoni me punën e mirë që po kryeni miqtë e mi, në misionin tuaj të pajtimit, paqes dhe përhapjes së Fjalës së Perëndisë.
Paqja qoftë me ju!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb