TIRANE – Fondi i ndihmës ekonomike në tremujorin e tretë të vitit u tkurr me 4,3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, për rrjedhojë 2544 familje të cilat ishin trajtuar me ndihmë në tremujorin e dytë, nuk e përfituan gjatë periudhës korrik-shtator. Sipas Buletinit Statistikor të INSTAT, fondi i ndihmës ekonomike në tremujorin e tretë ishte 343,7 milionë lekë nga 359,2 milionë lekë që ishte në prill-qershor.

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2015, numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 81.621 familje, nga të cilat 39.073 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 42.548 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Ndërsa gjatë tremujorit të dytë të 2015, familjet e trajtuara me ndihmë ekonomike ishin 84.145. Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (17,7% të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi), të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike në masë të plotë.

Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30,2%) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 53,7% e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë. Sipas ligjit nr.9355 datë 10.03.2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” dhe VKM nr.787 datë 14.12.2005 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe të masës së ndihmës ekonomike” përfituesit e ndihmës ekonomike janë: familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, jetimët e papunë mbi 25 vjeç, jetimët e moshës 18-25 vjeç, të cilët nuk janë vendosur në institucionet e shërbimeve shoqërore ose nën kujdestari dhe prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë, që u përkasin familjeve në nevojë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb