TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë për shumë çështje që shqetësojnë shqiptarët në këtë situatë për shkak të mbylljes që solli koronavirusi.

Rama sqaroi çështjen e qirave për biznesin e vogël por tha se po studiohet një mundësi subvencionimi për bizneset e mbyllura. Ndërkohë ai theksoi se ndihma ekonomike e dyfishuar është lëvruar dhe se pensionistët do marrin pension më të lartë.

“Tema tjetër është tema e qirave të biznesit të vogël se dua ta sqaroj këtë gjë. Të gjithë bizneset e vogla nuk do paguajnë qira në afatin e caktuar nga akti normativ. Për atë biznes të vogël që është i mbyllur në shtëpi sepse nuk punon dhe njësoj si individët që e kanë burim të ardhurash, ne po studiojmë një subvencion, por na duhet shumë pak kohë dhe të gjitha këto do të përfshihen në paketën e zgjeruar.
Më thotë Fatma mos bjer në melankoli por na jep zgjidhje çfarë do bëhet me ne…
Edhe njëherë Fatma, lufta ka ardhur për të na bërë dëme të mëdha për të krijuar halle që nuk i kishim imagjinuar, as unë dhe as juve. Tani, për ata që kanë humbur punën në një kompani, pas apo si rezultat i këtij sulmi armik që janë të regjistruar në kompani, unë e kam thënë dhe do e përsëris do të ndjekim dinamikën dhe kemi bërë ndërkohë një masë që fillon të zbatohet ditën e hënë. Kompanive iu kemi dhënë një garanci sovrane të shtetit shqiptar për të marrë para në bankë dhe të paguajnë.

Disa thonë, ose këta të partisë së Sudes thonë që nuk do funksionojë. Ne do e shohim, a do funksionojë apo jo. Ndërkohë jemi duke marrë emër për emër, çdo ditë të gjithë ata që po goditen nga kjo luftë dhe sigurisht që nuk do t’i lëmë vetëm, nuk do t’i themi që ty të hoqi kompania dhe ne nuk kemi çfarë të bëjmë. Jo nuk do i lëmë vetëm por se si do ta bëjmë mbështetjen për si dhe sa do ta themi kur ta kemi të qartë të bazuar tek llogaritë e domosdoshme që duhet të bëjmë.

Ne nuk mundet të funksionojmë me logjikë që kur ishte paqja jepje një e merrje një e kur vjen lufta ti nuk jep asnjë e do marrësh dy, kjo është e pamundur.

Kam dëgjuar që fatkeqësisht është përsëritur që ato që kemi thënë nuk janë bërë akoma. Është një gënjeshtër. Ndihma ekonomike e dyfishuar është lëvruar autorizimi për thesarin dhe shkon kudo tek ata që janë me ndihmë ekonomike. Dyfishi në këtë kohë lufte. Kanë aplikuar 23 mijë biznese për pagën e luftës.

Pensionistët brenda datës 21 do të marrin një pension më të lartë se ai që kishin. Kur shfaqen pensionistë në imagjinatën tuaj që shkruani për pensionistët dhe as jeni pensionistë dhe as keni ndonjë pensionist në hall, çfarë mendoni, çfarë ka ndryshuar përveç vuajtjes që do rrinë në shtëpi apo mendoni se do hanë më shumë, siç jeni ju tek ai grupi që rri gjithë ditën në shtëpi dhe nuk shkon dot në kafene”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb