78-vjeçari Bajram Hyso ka trokitur ne shume dyer institucionesh e gjykatash për te kërkuar drejtësi për pronat e tij. Thotë se ka shpenzuar shuma të mëdha parash, derisa zgjidhje për hallin e tij e gjeti në zyrën e ndihmës ligjore falas pranë bashkisë Vlorë.

“Nëpër gjyqe unë kam paguar, kam lënë qimet e kokës, unë një pension të dobët kam. Ky zyrë mua më ka ndihmuar tek zyra e përmbarimit. Unë këta i falenderoj përzemërsisht, po vazhduan në këtë rrugë këta, janë mirësi për popullin”,-tha për News24, Bajram Hyso pranë qendrës së shërbimit juridik falas në Bashkinë e Vlorës.

Bajram është një prej qindra qytetarëve të cilët kanë marrë ndihme ligjore falas në një nga 8 qendrat e ndihmës juridike falas të ngritura në disa qytete të vendit, me mbështetjen e PNUD në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas pranë ministrisë së Drejtësisë me financim të Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim si pjesë e projektit.

Këto qendra janë njësi të specializuara për dhënien e ndihmës juridike parësore dhe dytësore qytetarëve që kanë të ardhura të pamjaftueshme apo që i përkasin një kategorie specifike në nevojë. Shërbimi juridik falas jepet në mënyrë të pandërprerë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Alessia Naçi, juriste pranë qendrës së shërbimit juridik falas në Vlorë thotë se qytetarët e kanë gjithmonë derën hapur.

“Deri më tani prej muaj mars që kjo qendër është ngritur kemi administruar 67 raste”,-thotë Naçi.

Edhe në Fier nevoja e qytetarëve për ndihmë juridike falas ishte e madhe. Kjo qendër pranë ambienteve të ADISËS, jep ndihmë reale qoftë ndihmë ligjore parësore apo dytësore me avokatë në kohë të shpejtë . Gjate pandemisë shtëpia duhet te ishte vendi më i sigurt për të gjithë. Por dhuna në familje pati tendencë në rritje. 210 qytetarë u paraqitën pranë kësaj qendre, shumica gra dhe vajza që kërkuan urdhra mbrojtje, apo kërkuan ndihmë për tu divorcuar.

“ Kemi patur shumë raste si zgjidhje të martesave, gati në 50% të rasteve, kjo ka ndodhur si nga pandemia, arsye ekonomike, 50% të rasteve të paraqitur tek ne janë nga komuniteti rom apo egjiptian”,- shprehet Adelina Agolli, juriste pranë qendrës së shërbimit juridik falas në Fier.

Madje pranë kësaj qendre u paraqit edhe një 14 vjeçar që kërkonte kujdestar ligjor.

“Po unë e prita, kërkoi vënin në kujdestari, e ëma i kishte ndërruar jetë i ati ishte i alkolizuar dhe nuk mund të kujdesej, ka arritur sukses pasi gjykata i ka caktuar një avokat dhe është në proces gjyqësor, e kishte marrë vesh për qendrën tonë nga rrjetet sociale, nga facebook dhe instagrami” ,- tha Adelina Agolli, juriste pranë qendrës së shërbimit juridik falas në Fier.

Në Durrës, qendra e shërbimit juridik falas ndodhet në brendësi të gjykatës së qytetit bregdetar. Tipologjia e çështjeve pranë kësaj qendre ka qenë zgjidhje e çështjeve familjare, zgjidhje martese, pjesëtim pasurie bashkëshortore etj. Avokatja Alketa Kajmaku tregon se kërkesa për shërbime falas të ndihmës juridike nga komunitetet në nevojë është rritur ndjeshëm gjatë pandemisë.

“Po janë shtuar rastet e dhunës në familje, i kemi përfaqësuar edhe në gjykatën e Durrësit”,-u shpreh avokatja.

Gjatë periudhës janar – maj 2021 në total 731 persona në nevojë përfituan shërbim juridik falas në këto 8 qendra në mbarë vendin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb