Mbështetja që qeveria ka dhënë për pandeminë rezulton të jetë 4.5 herë më pak se mesatarja e vendeve të rajonit. Sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi nivelin e mbështetjes financiare për pandeminë Shqipëria renditet e fundit në rajon për ndihmën e dhënë dhe në hartën e botës vendi ynë është me të njëjtën ngjyrë me shtetet afrikane.

Nga vendet e rajonit Shqipëria ka mbetur në nivelin 1.2% të Prodhimit të brendshëm Bruto për sa i përket ndihmës për situatën e shkaktuar nga pandemia. Rezulton se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë dhënë mbështetje më të madhe për pandeminë.

Me Kosovën diferenca është mjaft e madhe pasi, shteti tjetër shqipfolës sipas FMN ka adresuar për pandeminë plot 5,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dy vendet kanë pasur të njëjtën qasje me 0.2 për qind të PBB si financim direkt për sektorin e shëndetësisë për të luftuar pandeminë, ndërkohë që diferencën e ka bërë mbështetja për sektorin jo shëndetësor. Për të përballuar krizën e shkaktuar nga Covid, Kosova ka mbështetur familjet dhe bizneset me  plot 5,4% te prodhimit  kombëtar, ndërsa Shqipëria me vetëm 0.9% te PBB.

Për raportin ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta i cili me anë të një statusi në “Facebook” se COVID nuk luftohet me propagandë teksa numri i të prekurve dhe jetëve të humbura po rritet çdo ditë. Presidenti Meta thotë se Shqipëria renditet e fundit në rajon për mbështetjen që duhet ti jap familjeve dhe bizneseve nga pandemia teksa thotë se  qeveria duhet të shkurtojë pagesat për PPP-të dhe të shtojë mbështetjen buxhetore për përballimin e pasojave të pandemisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: