Arrestohet në Belgjikë bashkëpunëtori shqiptar i 28-vjeçarit Kristjan Mëhillit, i arratisur natën e ndërrimit të viteve nga burgu i Vercellit në veri të Italisë.
Sipas mediave belge shqiptari është arrestuar në aeroportin e Zaventem kur donte të hipte në një avion për në Shqipëri, pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti nga autoritetet italiane. Tashmë ai është në pritje të ekstradimit në Itali.

28-vjeçari Mëhilli, u arratis mesnatën e 31 dhjetorit 2021 nga burgu me ndihmën e vëllait dhe dy personave të tjerë, të arrestuar tashmë.
Bashkë me të tentoi të arratisej dhe shoku i qelisë, duke sharruar hekurat e dritares së qelisë në katin e katërt, por vetëm 28-vjeçari arriti të arratisej. Pasi gjatë tentativës, shoku i tij i qelisë u rrëzua dhe pësoi disa dëmtime, çka çoi në kapjen e tij nga gardianët e burgut.

Mëhilli u kap më pas më 10 shkurt në Holandë.
Bashkëpunëtori i katërt i Mëhillit, i arrestuar në aeroportin belg, është një 29-vjeçar shqiptar me banim në Itali dhe i njohur në polici për vjedhje. 29-vjeçari thuhet se ka blerë makinën me të cilën u arratis Mëhilli dhe gjithashtu ka ndihmuar në thyerjen e portave të jashtme të burgut.

Mëhilli u arrestua në maj të 2019-s nga karabinierët e Casale Monferrato, së bashku me tre shqiptarë të tjerë. Ai ishte pjesë e bandës që kryente grabitje në vila në zonat Alessandria, Casalese dhe Vercelli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: