TIRANË- Hamendësime të shumta ka shkaktuar në media vizita e papritur në Tiranë e drejtorit të CIA-s, John Brennan. Ndonëse ambasada e SHBA-ve, sqaroi se kreu i inteligjencës amerikane erdhi për një seri çështjesh që përfshijnë sigurinë rajonale, bashkëpunimin kundër terrorizmit, shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës, si dhe çështje të tjera dypalëshe, ish-kreu i SHIK-ut në vendin tonë Fatos Klosi nënvizon disa çështje të tjera.

Ndikimi gjithnjë e në rritje i Rusisë në Ballkan, por edhe marrëdhëniet e SHBA-ve me Iranin, sipas tij mund të kenë qenë disa nga çështjet që ka diskutuar Brennan me krerët më të lartë të shtetit shqiptar, gjëra që s’mund të të thuhen në publik, siç tha Klosi i ftuar në rubrikën “Opinion” në “NEWS 24”.

“Një nga problemet për të cilat ka ardhur mund të jetë ai i iranianëve në Shqipëri. Ndërsa SHBA pritet të acarojë marrëdhëniet me Iranin, natyrisht që aleatët duhet të sqarohen në lidhje me ketë, jemi të implikuar. Problem është edhe situata në Ballkan. Rusët duke shfrytëzuar krizën e BE po përpiqen të avancojnë në Ballkan. Ka një situatë jo normale në Europë dhe Ballkan për sa i përket ndërhyrjes nga Rusia, që po kërkon për interes të saj shtrirjen më të gjerë, jo më me ndikim tradicional si në kohën komuniste, por në aspektin politik dhe ekonomik”, – tha Klosi.

Ish-numri një i shërbimit inteligjent nuk e përjashton mundësinë që kreu i CIA-s të ketë ardhur në Tiranë edhe për çështje të terrorizmit ndërkombëtar.

“Situata nuk është normale, afër nesh nuk ka luftë por ka në Siri. Ka një problem me terrorizmin. Ishin amerikanët të parët që lajmëruan Francën për sulmet terroriste, prandaj them që edhe kjo mund të ketë qenë temë e bisedimeve, Fakti që u takua me ministren e Mbrojtjes, lidhet me operacionet ushtarake në botë ku merr pjesë edhe Shqipëria”,- shtoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb