Në emisionin “Pikat mbi i” në News4 analisti Artur Zheji dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, kanë folur për zhvillimet e fundit në Ballkan duke u ndalur edhe tek tensionet në Kosovë me Serbinë.

Gjatë bisedës në studio, analisti Zheji tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është aktor kryesor që përçon doktrinën Putiniane në Ballkan.

Nga ana e tij Hoxhaj tha se historikisht Rusia ka ndjekur interesa në Ballkan.

Pjesë nga biseda në studio:

Ndikim rus në Kosovë dhe Shqipëri

Hoxhaj: Kam qenë i bindur në nëntorin  e vitit të kaluar që do të ketë luftë…Qëndrimi rus në raport me Kosovën është i strukturuar. Përpjekja e Rusisë është për të ndërtuar një Perandori ruse. Bindja ime se Ukraina mund ta fitojë luftën ka qenë e bazuar se vendimmarrja për ta sulmuar ka qenë pa një koordinimin të mirëfilltë dhe shpresoj që lufta të përfundojë me fitoren e Ukrainës që do të ishte dhe fitore e Perëndimit”, tha Hoxhaj.

Zheji: Rusia deri në vitin ’60 ka qenë këmbëkryq në Shqipëri. Ne shqiptarët pasqyrojmë frymën perëndimore. Vuçiç është thuajse i dënuar që të jetë alet i Rusisë dhe aktor kryesor që përçon doktrinë Putiniane në Ballkan.

Hoxhaj: Perëndimi shpesh herë duke i dëgjuar kërkesat e Serbisë ka dëgjuar pritjet e Rusisë në Ballkan. Sa kam qenë ministër i Jashtëm kam pasur përplasje të mirëfillta me shtete kyçe në Europë.

Hoxhaj: Shqiptarët e Kosovës nuk guxojnë të sillen si viktimë në vitin 2022. Në vitin 2008 në Pavarësinë e Kosovës kemi pasur një triumf të dytë dhe në të dy herët nuk kemi arritur marrëveshje me Serbinë.

Zheji: Ju i keni dëgjuar deklaratat e Vuçiçit që kurrë nuk do ta njohë Kosovës. A mundet ai të mbijetojë politikisht nëse do të njohë Kosovën?

Hoxhaj: Vuçiçi do të ishte në gjendje ta njihte Kosovën nëse Perëndimi nuk do ta mbështeste drejt rrugës së BE.  Jetojmë në një kohë kur është NATO ajo që po mbron shtetin dhe jo OKB. Serbia nuk do të pranojë planin e Ahtisarit. Menaxhimi i gabuar i Kurtit dhe loja e dyfishtë e presidentit serb kemi tërheqje nga institucionet në Veri…Nga Kuvendi i Kosovës , nga institucionet janë tërhequr dhe kjo është në dëm të shtetit të Kosovës. Sa kohë kemi qenë në qeveri edhe me gabime që kemi bërë, historia jonë nuk ka qenë për t’u fokusuar tek problemet. Pra më me rëndësi shihet ndërtimi i një marrëdhënieje drejt njohjes se sa problemet. Dhe mendoj që Kryeministri Kurti ka bërë përpjekje t’i iki propozimit të shpejtë të dialogut dhe targat i ka përdorur si levë për të mos hyrë në dialog dhe kjo është shfrytëzuar nga Serbia për të krijuar një realitet të ri në Veri të Kosovës. Dhe ky besoj është fillimi më i vështirë për ne si vend se si ta rikthejmë sigurinë në atë pjesë të territorit të Kosovës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb