Kryeministri Edi Rama i uron ditëlindjen e 69-të historianit të njohur, Pëllumb Xhufi.

Mes rreshtash, Rama shkruan se Xhufi “është një pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes, kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike të veçantë dhe përkatësive të shumëfishta të kombit shqiptar”.

Për këtë, kryeministri uron që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja.

Mesazhi i Ramës:

#EDHE100?

PËLLUMB XHUFI, që sot mbush plot 69 vjet që nuk duken në portretin e tij prej djaloshi të thinjur, hyn padyshim ndër ata lëvrues të mirë të penës shqipe në lëmin e historisë, të cilët kanë vizatuar me përkushtim e kompetencë të spikatur rrugët e njohjes së të shkuarës së trazuar të këtij vendi.

Ai është një pikë referimi për historiografinë e ngatërruar mes Perëndimit dhe Lindjes, kontekstualizimin në këto dy botë të gjenezës historike të veçantë dhe përkatësive të shumëfishta të kombit shqiptar. Njohës rigoroz i gjuhëve dhe paleografive të vjetra padyshim, por edhe njohës i ditur dhe vëzhgues i mprehtë i skutave të labirinthit të diplomacisë në gjatësinë e disa shekujve, Pëllumb Xhufi ka aftësinë e spikatur të të treguarit të së shkuarës me gjuhën e të tashmes, përmes një pedagogjie hulumtimi që u jep bashkëkohësve pika referimi për të kuptuar dinamikën e “lojës” diplomatike, sidomos në momentet kur e shkuara ngre krye si aktualitet i debatueshëm.

“Përkthyes” i palodhur i dilemave të Arbërit, Pëllumb Xhufi ka një aftësi mbresëlënëse për të interpretuar rebuset e historive të vogla të Ballkanit, të njerëzve, komuniteteve, ngjarjeve të kohëve shumë të shkuara, duke na e lehtësuar vështrimin përtej mjegullave ballkanike, të cilat vazhdojnë të ushqejnë gjithëfarë gjysëm të diturish e sharlatanësh të mexhelisit të zhurmshëm shqiptar. Ai di të na e tregojë me goxha saktësi vendin që zënë bijtë e shqipes në historinë e tyre, të historinë e rajonit a të botës me të cilën u përzien, ata më të moçmit e ata më të afërtit me ne në kohë. Dhe më e pakta që mund të thuhet është që kjo nuk është pak, sidomos po të mbash parasysh pazarin e gjullurdisshëm të historiografisë shqiptare të dekadave që pasuan periudhën e gjatë e të zymtë, të historisë së shkruar sipas qejfit nga fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. “Arbërit e Jonit”, “Shekulli i Voskopojës”, “Ikje nga Bizanti”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, apo “Skënderbeu: Ideja dhe ndërtimi i Shtetit”, e të tjera akoma, përbëjnë një afresk të hatashëm në kapelën e tempullit të historiografisë shqipe.

E fundit po jo për nga rëndësia, personaliteti i Pëllumb Xhufit, meriton respekt edhe për tiparin e konseguencës qytetare, të cilën as politika aktive ku ai u përfshi për disa vite me instiktin e patriotit dhe me edukatën e shërbëtorit publik, nuk e zhbëri dot. Duke i uruar ditëlindjen dhe duke uruar që të tjera pjesë t’i shtohen afreskut mjeshtëror që ai ka krijuar, uroj me këtë rast që më të rinjtë në moshë e në rrugën e ndërlikuar të Albanologjisë e të shkencave humane, të mësojnë sa më shumë e ta ndjekin shembullin e këtij djaloshi me thinja.

#TëRRALLË

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb