LUSHNJE- Nxënësit e fillores të fshatit Konjat në Lushnje bëjnë “shkollë nate” në Dushk. Ata fillojnë mësimin rreth orës 13.00 dhe dalin nga shkolla rreth orës 18.00. Më pas, për 45 minuta përshkojnë një distancë prej dy kilometrash për të mbërritur në fshat, ku rruga është e pashtruar dhe një pjesë e saj kalon afër varrezave. Në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” mbërritën disa ankesa nga nxënës dhe prindër të fshatit Konjat.

Gazetarët e Fiksit shkuan një pasdite në shkollën e fshatit Dushk në Lushnje. “Fëmijët dalin nga shkolla natën, kalojnë rrugën në errësirë. Rruga është e prishur. Ata kanë frikë. Kërkojmë të rindërtohet shkolla e vjetër, ose të na paguajnë një makinë. Fshati Konjat është dy kilometra larg nga shkolla” thotë njëri prej prindërve, teksa pret afër portës së shkollës. Pas disa çastesh, fëmijët dalin nga shkolla, megjithëse nata kishte filluar të binte. Disa prej tyre pohojnë për Fiksin se “kemi shumë frikë kur shkojmë në shtëpi, rruga është errësirë”.

Për të faktuar pretendimet e prindërve apo të vetë nxënësve, ekipi i “Fiks Fare” shoqëroi në këmbë fëmijët e fshatit Konjat, nga shkolla në Dushk drejt qendrës së fshatit. Nxënës dhe prindër nisen drejt Konjatit, teksa fillimisht ata kalojnë në disa rrugë pjesërisht të shtruara me kalldrëm. Disa prindër u dalin para fëmijëve për t’i shoqëruar natën. Pas 15 minutash ecje, fëmijët thonë se këtu fillon edhe pjesa më e vështirë, pasi banesat e fshatit Dushk Fshat fillojnë të rrallohen dhe i drejtohemi fshatit Konjat.

Për të shkuar në këtë fshat është një rrugë në ngjitje, e pandriçuar, madje afër saj janë edhe disa varreza. “Kemi frikë se mos na dal ndonjë fantazmë” thonë fëmijët, ndërsa dita që i shoqëruam ka qenë më me “fat”, për shkak se, përveç ekipit të Fiksit, kishte edhe disa prindër, apo gjyshër. Pas 45 minutash ecje në këmbë, 25 fëmijët mbërrijnë në qendër të fshatit Konjat, mes të lehurave të qenve. Ata kërkojnë nga shteti që t’u vërë në dispozicion një furgon për transport, ose t’i kalojnë për mësim paradite.

Ndërkohë, “Fiks Fare” pyeti edhe nëndrejtorin e shkollës Dushk, i cili tha se nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën, bëjnë mësim pasdite. Ai tha se kështu ka qenë gjatë gjithë kohës, ndërsa shpjegoi oraret e klasave nga e para deri në të katërt, që thotë se janë 10 klasa. Pyetjes se përse nuk mund të bëhet një kalim i nxënësve të fillores paradite, nëndrejtori na thotë që nuk mundet, pasi kështu ka qenë gjithmonë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: