Për herë të parë BE po e shoqëron respektimin e vlerave themelore me pasoja të drejtpërdrejta financiare. Disa qytete polake të shpallura “Zona të pastra prej LGBT-ve” përjashtohen nga fondet e BE-së.

Ende nuk dihet zyrtarisht se cilat qytete do të përjashtohen nga fondet e BE-së për binjakëzimin e qyteteve, por sipas raporteve të mediave, ndër ta do të jetë qyteti Tuchow. Kryetarja e Bashkisë së qytetit, Magdalena Marszałek, tha se “ende nuk kemi marrë letër zyrtare nga Komisioni i BE, por unë i kam njoftuar anëtarët e Këshillit se nuk do të marrim asnjë fond prej BE-së”.

Ajo vetë kishte qenë kundër “Rezolutës kundër ideologjisë LGBT”, por në fund anëtarët e këshillit bashkiak që i takojnë partisë në pushtet PiS vendosën si deshën, sepse kanë shumicën në këshillin e qytetit. Pasojat e para pasuan – qyteti francez Saint-Jean de Braye dhe ai holandez Nieuwegein e ndërprenë binjakëzimin me qytetin polak Tuchów.

Polen LGBT Free Zone (Bartosz Staszewski)

Edhe qyteti Schwerte në NRW e ndërpreu binjakëzimin dhe bashkëpunimin 30-vjeçar me qytetin polak Nowy Sącz.

“Vendimi i këshillit tuaj bie ndesh me idenë evropiane për diversitetin,” i shkruajti kryetari i bashkisë së Schwertes, Dimitrios Axourgos, homologut të tij polak, Ludomir Handzel.

Ose fonde evropiane ose homofobi dhe mungesë parash

Krzysztof Śmiszek nga Partia e Majta Polake thotë se pasojat financiare nuk janë befasuese.

Ai i sheh vendimet e Komisionit të BE-së si një “pasojë natyrore të masave me motive homofobe në disa komuna. Ose respektim të të drejtave të njeriut, dhe të vlerave dhe fonde evropiane ose homofobi dhe mungesë parash – kjo është edhe një zgjedhje civilizatore”, tha Krzysztof Śmiszek, i cili edhe vetë bashkëjeton me një burrë.

Sipas tij ndoshta bashki të tjera do të kenë tani frikë që t’i shpallin qytetet e tyre “Zona të pastra prej LGBT-ve”, por masat për ndërprerjen e fondeve për binjakëzimin e qyteteve me siguri do ta shtojnë frymën kundër BE-së.

Retorika anti-LGBT e pranishme kudo

Retorika kundër LGBT-ve është e pranishme jo vetëm tek politikanët lokalë. Edhe presidenti polak, Andrzej Duda tha në fushatën e tij zgjedhore “tani po mundohen të na mbushin mendjen se LGBT janë njerëz, por LGBT është një ideologji” të cilën ai e quan “neobolshevizëm”. Dhe në zonat ku Andrzej Duda fitoi shumicën e votave, një numër i madh komunash dhe bashkish kanë nënshkruar rezoluta anti-LGBT.

Deutschland | Protest in Berlin gegen so genannte LGBT Freie Zone in Polen (DW/W. Szymanski )

Shoqata konservatore e juristëve “Ordo Iuris” ka ndihmuar në përpilimin e një “Karte të të Drejtave të Familjeve” dhe në të edhe pse nuk përmendet fjala LGBT martesa përcaktohet vetëm si lidhje mes burrit dhe gruas. Avokati Nikodem Bernaciak, i cili është po ashtu anëtar i kësaj shoqate, është zemëruar nga vendimi i Komisionit të BE-së.  “Karta e të Drejtave të Familjes nuk përmban kurrfarë ideologjie dhe fjala “LGBT” as nuk figuron fare në të. Kjo kartë synon të theksojë mbrojtjen e martesës dhe të nxisë politika miqësore ndaj familjes” – tha ai për DW.

Edhe ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, deklaroi se veprimi i Komisionit të BE-së për të përjashtuar nga fondet e BE-së qytetet që e kanë shpallur veten “Zona të pastra prej LGBT-ve” është “i paligjshëm”.

Ziobro thotë se komisionerët e BE-së marrin vendime mbi baza ideologjike dhe duke iu referuar traktateve të BE-së.

“Komisioni i BE-së dhe të gjitha autoritetet e BE-së janë të detyruara të respektojnë identitetin kombëtar të vendeve anëtare përkatëse.”

Për BE-në dhe Brukselin ky hap është një veprim simbolik që duhet të shërbejë si një sinjal për të ardhmen. Për herë të parë respektimi i vlerave themelore nuk po kërkohet jo vetëm në mënyrë retorike, por po shoqërohet edhe me pasoja të drejtpërdrejta financiare për gjashtë qytete polake që e kanë shpallur veten “Zona të pastra prej LGBT-ve” ose që kanë miratuar rezolutën për të drejtat e familjes.

DW

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: