Një polic 29 vjeç u arrestua në Greqi, ndërsa po mbahet në burg për shkak se dyshohet se ka kryer gjithsej 11 grabitje në Athinë e në periferi të kryeqytetit grek.

I pandehuri ka deklaruar përpara oficerëve të policisë se kishte varësi ndaj lojërave të fatit, ndaj ishte i detyruar që të bënte vjedhjet. Sipas policisë greke, pak para arrestimit, ai kishte kryer dy plaçkitje të armatosura në një pikë karburanti në Peristeri dhe në një stendë në Galatsi, nga e cila vodhi gjithsej 690 euro.

Një hetim i mëvonshëm zbuloi se që nga dhjetori i kaluar, ai kishte kryer nëntë vjedhje të armatosura të tjera në 8 stacione karburanti dhe në një kioskë në Agia Paraskevi, Chalandri, Ilioupoli dhe Galatsi, nga të cilat ai vodhi gjithsej rreth 4 400 euro.

Hetimet gjetën dhe sekuestruan mjetet që ai përdorte për kryerjen e grabitjeve, përkatësisht pistoletën e tij të shërbimit, veshmbathjen dhe 3 skuterë si dhe 690 euro nga dy grabitjet e fundit.

(dionis xhafa/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb