LUSHNJE- Kur tenton t’i bësh gropën tjetrit, bie vet brenda. E tillë është historia e një burrë nga Lushnja, i cili tentoi të vidhte për herë të dytë në banesën e dikujt, ndërsa u kap ‘mat’ nga pronari.

Ngjarja në fjalë ndodhi në fshatin Konjat të Lushnjes. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se gjithçka nisi kur Shkëlqim Çollaku kishte vjedhur një motoçikletë të markës “Piaggio”, pa targa, në pronësi të Nertil Hajdari.

Por, siç duket nuk është mjaftuar me kaq, pasi ka shkuar sërish në banesën e Hajdarit, për të marrë sërish sende prej aty, por është përballur me pronarin. Ky i fundit, në shenjë hakmarrje, ka mbajtur dhe dhunuar fizikisht Shkëlqim Çollaku në banesën e tij për rreth 5 orë dhe më pas e ka lënë të lirë. Lidhur me këtë ngjarje, policia lokale arrestoi tre persona; hajdutin, vëllain e tij, dhe personin që u grabit.

NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje, ndaluan shtetasit:
-Shkëlqim Çollaku, 41 vjeç, banues në fshatin Çermë, Divjakë.
-Lulëzim Çollaku, 45 vjeç, banues në fshatin Shegas, Lushnje.
-Nertil Hajdari, 31 vjeç, banues në fshatin Konjat, Lushnje.
Në datën 19.11.2017, rreth orës 18:20, shtetasi Shkëlqim Çollaku, në fshatin Konjat, ka vjedhur një motoçikletë të markës “Piaggio”, pa targa, në pronësi të shtetasit Nertil Hajdari, dhe e ka çuar për ta fshehur në banesën e vëllait të tij Lulëzim Çollakut, të cilin e ka vënë në dijeni për faktin se motorin e kishte vjedhur.
Më pas, shtetasi Shkëlqim Çollaku është kthyer në banesën e shtetasit Nertil Hajdari për të vjedhur sende të tjera por është kapur nga shtetasi Nertil Hajdari, i cili e ka mbajtur dhe dhunuar fizikisht shtetasin Shkëlqim Çollaku në banesën e tij për rreth 5 orë dhe më pas e ka lënë të lirë.
Shtetasi Nertil Hajdari këtë ngjarje nuk e ka njoftuar në organet e rendit dhe pasi e ka lënë të lirë shtetasin Shkëlqim Çollaku, ka mbajtur motoçikletën e markës “ ICO“, me targa AP072 në pronësi të vëllait të tij, shtetasit Lulëzim Çollaku, duke kryer vetëgjyqësi.
Dosja i ka kaluar Prokurorisë së Lushnjës për veprën penale:
“Vjedhje”, në ngarkim të shtetasit Shkëlqim Çollaku.
“Përvetësimi i sendeve të vjedhura”, në ngarkim të shtetasit Lulëzim Çollaku.
“Vetgjyqësia” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, në ngarkim të shtetasit Nertil Hajdari.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: