Pjesa e pestë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), të cilat i përkasin qershorit të vitit 1973, kur në Tiranë u mbajt Plenumi i IV-ët i Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Enver Hoxha mbajti raportin kryesor me temë “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”. Fjala e panjohur e Enver Hoxhës i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Kujtim Spahivogli, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj.

“Fenomene të kësaj natyre janë vënë re edhe në muzikën e lehtë, sidomos në atë ritmike, ku ka pasur deformime të vijës së qartë melodike dhe u është hapur rrugë ritmeve të shfrenuara. Kjo u duk sidomos në Festivalin e 11-të të Këngës në Radio-Televizion. I tërë opinioni ynë shoqëror e refuzoi me indinjatë atë muzikë vulgare, ato këngë të përçmuara dhe atë paraqitje snobiste që ky festival na nxori në skenë. Ai me të drejtë e konsideron dhe e dënon atë si një ofendim që i bëhet traditës më të mirë kombëtare, frymës popullore dhe partishmërisë së artit tonë. Shfaqje të tilla të huaja janë dukur edhe në disa piktura, në paraqitjen skenike të ndonjë vepre teatrale e operistike, në kopertinat e librave etj. Shmangie të tilla kanë ndikuar drejtpërsëdrejti si në formën, ashtu edhe në brendinë e letërsisë e të artit tonë. Këto prirje të shtrembra janë në kundërshtim me partishmërinë e letërsisë e të artit, me rolin formues dhe edukues, me karakterin popullor e kombëtar të tyre. Ato vënë një barrierë midis artit dhe popullit, zbehin natyrën demokratike që duhet të ketë arti ynë, prishin shijet e masave punonjëse”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kështu u shpreh në mes të tjerash Enver Hoxha në fjalën e tij të mbajtur në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së që u zhvillua në datat 26 dhe 27 qershor të vitit 1973, i cili u mbajt kryesisht vetëm për artin e kulturën dhe u shëndrua në “giotinën” e shkrimtarëve dhe artistëve, pasi aty u “prenë shumë koka” të tyre, duke u shkarkuar fillimisht nga detyrat dhe funksionet që kishin pasur deri në atë kohë, për të përfunduar më pas fshatrave më të largët të Shqipërisë, në miniera dhe në kantiere ndërtimi, si dhe burgjeve e internimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, si: Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Mihallaq Luarasi, Lluk Kaçaj, Sherif Merdani, Minush Jero, Ibrahim Uruçi, Dhimitër Shuteriqi, Edi Luarasi, Zhani Ciko, Leka Bungo, Bujar Kapexhiu, Novruz Yzeiri, Dorjan Nini, Francesk Radi, Justina Aliaj, Vilson Kilica, Hamide Stringa, etj., ku pjesa më e madhe e tyre dolën nga burgu apo u kthyen në Tiranë vetëm pas shëmbjes së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të.

Për më shumë se çfarë u tha nga Enver Hoxha në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qëndror të PPSH-së, na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al po e publikon për herë të parë në disa pjesë (me disa shkurtime), duke filluar nga shkrimi i sotëm.

                                                     Vijon nga numri kaluar

Fjala e Enver Hoxhës në Plenumin e IV-ët të Komitetit Qendror të të PPSH-së, të mbajtur në Tiranë më 26 dhe 27 qershor 1973

Nga fillimi i këtij diskutimi unë vura në dukje se në autokritikën me shkrim të Fadil Paçramit, nuk del asgjëkundi roli dhe Partia në udhëheqje, asgjëkundi ajo nuk përmendet për të mirë, veçse “për gabime që ka bërë”. Sipas tij, në asnjë rast nuk del që vija e Partisë ta ketë frymëzuar atë: pale ta ketë udhëhequr në punë. Atëherë vihet pyetja: Ku ka kullotur dhe ku kullot ky njeri? Le ta lëmë të flasë me gojën e vet dhe ai foli edhe këtu, por po jua lexoj pikë për pikë, pa ndryshuar asnjë presje kredon e tij që figuron në paragrafin e parë të faqeve 5-6 të autokritikës së tij. Dëgjojeni shokë: “Kam menduar dhe mendoj se për të pasur një zhvillim të drejtë dhe më të mirë të letërsisë dhe të arteve duhen kapërcyer disa fenomene të tilla, si: sentimentalizmi, natyralizmi, skematizmi etj., duhet të çlirohemi gjithashtu dhe përfundimisht nga çdo ndikim i një lloji rryme letrare klerikaliste që ka ekzistuar para çlirimit me temat e veta të preferuara mbi ekzotikën, ruajtjen e zakoneve patriarkale, largimin nga problemet shoqërore dhe hyjnizimin e disa virtyteve mbiklasore, shoqëruar me mënyra të foluri dhe pamje të jashtme aspak esenciale; duhej bërë një luftë e vendosur për të çrrënjosur koncepte e pikëpamje të huaja nën ndikimin e rrymave dekadente borgjeze e revizioniste, në përmbajtje dhe në mjetet shprehëse që mbjellin pesimizmin, fatalitetin, kotësinë e jetës dhe pamundësinë për ta transformuar botën; duhej të kapërceheshin edhe ato skema konfuze për letërsinë dhe artin të shkollës sovjetike që nuk qenë në gjendje t’i presin rrugën, po përkundrazi hapën rrugë për revizionizmin në Bashkimin Sovjetik, e në vende të tjera. Dhe kam luftuar me të gjitha këto drejtime. Po ku qëndron gabimi? Këto çështje nuk janë bërë të qarta në masën e gjerë të shkrimtarëve e të artistëve edhe kjo flet për një punë të dobët të Partisë në rreth, të organizatave-bazë në institucionet kulturore e artistike dhe timen, që drejtoj këta sektorë. Po kështu nuk munda të krijoj gjithmonë marrëdhënie normale në mes të gjithë krijuesve, të krijoj edhe atë të ashtuquajtur ambient artistik, por ka ndodhur që për disa prej tyre, në veprat e të cilëve ka pasur ndikime dhe shfaqje të llojeve të ndryshme, janë përdorur shprehje si natyralist, skematik, konservator, modernist etj. Reagimi im këtu nuk ka qenë i tillë, që t’u pritej rruga gjërave të tilla. Pas kritikës që u bë në Plenumin e 15-të të Komitetit Qendror të Partisë ndaj disa veprave me ndikime të huaja borgjeze e revizioniste, pati një punë më të mirë dhe rezultatet në krijimtarinë letrare dhe artistike qenë më të mëdha; mirëpo kjo bëri të nënvleftësohej rreziku i ndikimeve të huaja dhe unë për këto nuk tërhoqa vëmendjen e organizatave-bazë për të mos e harruar këtë rrezik, duket edhe unë e nënvleftësova, gjë që çoi në rënien përsëri në gabime të tilla”.

Siç po e shohim, ky “teoricien i madh”, ky “shef mbi Partinë, jashtë sferës dhe ndikimit të Partisë, që nuk dëgjon as të konfondohet, as ta zërë në gojë Partinë, “ka menduar dhe mendon” dhe “jep vijën” e për këtë “vijë të tij”. Partia në rreth ka punuar dobët, organizatat-bazë dhe institucionet po ashtu. Shefi “nuk mundi të krijojë gjithmonë marrëdhënie normale në mes të gjithë krijuesve, të krijojë edhe atë të ashtuquajtur ambient artistik etj”. Të gjithëve ne që kemi zhvilluar luftën kundër elementëve antiparti, na kujtohet “Teoria e shefit të partis”, e Sejfulla Malëshovës, Koçi Xoxes e të tjerëve, në Plenumin e Beratit, me të cilën goditnin vijën e Partisë dhe udhëheqjen e saj. Ky fenomen ngjet dhe me Fadil Paçramin dhe këtu është qëllimi. Na kujtohet arroganca dhe mendjemadhësia e Sejfulla Malëshovës. Këto tipare antiparti i gjejmë te Fadil Paçrami. “E kam quajtur veten me koncepte të formuara, kjo është e vërtetë”, thotë Fadil Paçrami në autokritikën e tij. Dhe ne i themi atij se e besojmë, se për çka mendonte, konceptet e tij ishin të formuara. Konceptet e Fadil Paçramit nuk ishin vetëm liberale e moderniste, por ato janë më parë koncepte antiparti e revizioniste në ideologji, në politikë, në kulturë e në art, në çështjet organizative dhe në veprimtarinë praktike.

Konceptet e formuara kishin edhe objektivat e caktuar. Për revizionistët Fadil Paçrami e Todi Lubonja, Partia e Punës e Shqipërisë ishte një parti e burokratizuar, një parti dogmatike, konservatore, staliniste. Prandaj objektivi i tyre megaloman ishte t’i ndërronin asaj kursin. Po si? Duke luftuar me maskën legale për shtrembërimin e vijës. Konceptet e tyre antiparti dhe antiproletare i çuan ata të zgjidhnin bazën e nisjes së veprimtarisë së tyre në kulturë dhe në arte, pse menduan me mendjelehtësi prej reaksionari se atje do të ishte pika e dobët e Partisë e favorshme për ta. Ata menduan po ashtu se në veprimet e tyre antiparti do të gjenin mbështetje në rini, të cilën, sipas tyre, do të mundnin ta vinin në kundërshtim me Partinë. Këto pikëpamje të gabuara janë të vjetra. Edhe Nako Spiru i ka shprehur këto në kohën e tij dhe Partia ia ka luftuar. Këto pikëpamje jo vetëm vijnë si reminishencë te këta dy njerëz, por janë edhe influenca të drejtpërdrejta të punës më të keqe kundërrevolucionare që bëjnë borgjezia dhe reaksioni me rininë në vendet kapitaliste dhe revizioniste. Nga këto pozita dhe nga ky terren këta filluan të goditnin vijën e drejtë të Partisë. “S’ka këtu, -thotë Fadil Paçrami, – çështje brezash të rinj e të vjetër”.

Pikërisht këtu është një nga drejtimet kryesore të luftës së tyre: Çarja e këtij uniteti të madh, të kalitur me gjak e me djersë brez pas brezi nga populli ynë kundër armiqve të tij të jashtëm e të brendshëm, që e kurorëzoi Partia jonë heroike me Luftën Nacionalçlirimtare, me revolucionin popullor, me ndërtimin e socializmit, me revolucionarizimin e vazhdueshëm të jetës së vendit e të njerëzve, në luftë me ndikimet mikroborgjeze, revizioniste, kapitaliste. Nuk është ashtu, siç duan të maskohen këta elementë antiparti, se gjoja padashur kanë gabuar kundër disa shkrimtarëve ose artistëve të kohëve para vitit 1960. Jo, kjo është një gënjeshtër. Këta elementë kanë qenë kundër së kaluarës së shkëlqyer të popullit tonë, kundër patriotizmit të zjarrtë të tij të çdo periudhe të historisë, këta mohonin dhe urrenin kulturën e lashtë të popullit tonë, doket dhe zakonet e mrekullueshme përparimtare, ata mohonin dhe urrenin këngët, muzikën, folklorin e tij, i quanin këta «gangrenë» e muzikës që ata donin të restauronin në atdheun tonë socialist. Këta ishin kozmopolitë nga më të degjeneruarit.

Njerëzit thonë nëpër organizata: “Fadil Paçrami, thoshte: me Skënderbeun jemi deri në fyt”. Disa shokë që diskutuan sollën këtu të tjera fakte në këtë drejtim. Atij nuk i pëlqenin dramat për Bajram Currin, “Fisheku në pajë” e shumë të tilla, që i kualifikonin me përbuzje “Teatri Bogdani”. Për Fadil Paçramin dhe për ndonjë regjisor servil, që e quante Fadilin «dramaturgu më i madh që ka parë Shqipëria”, kishte vlerë vetëm drama «Shtëpia në bulevard», ku bëhet fjalë për një vajzë që mbetet me barrë, ose drama tjetër “Një ngjarje në fabrikë”, ku gazetari, si në Perëndim, bëhet gjykatësi i vijës së Partisë dhe i njerëzve dhe nuk vihet Partia në vendin e vet udhëheqës, edukues dhe këshillues. Sipas Fadil Paçramit dhe ndonjë tjetri, ishin këta që po krijonin teatrin me të vërtetë “modern” me tërë kuptimin perëndimor të fjalës. Por le t’i lëmë mënjanë dramat e tij pa asnjë vlerë dhe të shohim problemet më tej. Sa e drejtë ka qenë vija e Partisë sonë në ruajtjen e pasurisë së madhe të popullit dhe të atdheut, e asaj pasurie të madhe shpirtërore që e ka mbajtur gjallë kombin tonë, në stuhi e në furtuna. Sa drejt kanë luftuar Partia dhe njerëzit e artit e të kulturës sonë popullore për të spastruar ferrat që mbytnin këtë kopsht kaq të lulëzuar dhe e nxorën në dritë dhe në bazën e saj, duke ndjekur traditën e bukur, krijuan vazhdimin e natyrshëm të saj, kulturën e një vendi socialist, të mbështetur fort në truallin dhe në gurrën kombëtare, i ruajtën asaj format e bukura dhe i zbukuruan përmbajtjen, i dhanë përmbajtjen socialiste, revolucionare.

Ata ia zhvilluan këtë përmbajtje revolucionare, pse kjo përmbajtje revolucionare nuk na ra as nga qielli, as na u soll me valixhe nga jashtë, por e trashëguam nga të parët tanë. Leninizmi dhe Partia jonë na mësojnë të mbështetemi fort këtu, pse këtu i kanë bazat revolucioni dhe socializmi, në popull, në klasën punëtore. Ne jemi marksistë dhe zhvillimin e shohim nën prizmin e materializmit historik. Partia, klasa, populli, rinia, gruaja, ushtria, shkrimtarët, artistët, mësuesit e profesorët, në një unitet të çeliktë rreth Partisë dhe nën drejtimin e saj, e ndërtuan me gjak, me djersë, me mundime e me sakrifica, në mes të një entuziazmi të papërshkruar dhe të pashuar kurrë, këtë ndërtesë kaq të bukur, kurse disa plehra revizioniste na dalin të predikojnë që të kaluarën ta braktisim, themelet duhet hedhim në erë, pse ajo na qenka anakronike, është konservatore, nuk e do rinia. “S’duhet më të shkruaj më e të krijojmë vepra që të entuziazmojnë, duhet flakur tej çdo gjë që ngjall emocione ose ndjenja patriotike, modernia nuk i duron këto”, thonë këto plehra dhe “modernët jemi ne, ne jemi avangarda” e atij revolucioni që predikojnë plehrat revizioniste dhe kapitalisto-trockiste të Moskës, të rrugëve të Parisit, të Bonit, të Romës e të Beogradit.

Fadil Paçrami në të ashtuquajturën autokritikë të – tij, thotë “të ndalemi ca në çështjen e vitit ‘60-të e tëhu” dhe kërkon të na shpjegojë se si ky “revolucionar i madh” mori pjesë “me të madhe” në luftën e revolucionarizimit dhe veçanërisht të letërsisë dhe të arteve. Kjo i përngjet përrallës së mizës dhe të buajve që tërhiqinin qerren e ngarkuar plot në një rrugë të përpjetë. Ngritja e çdo gjëje në një nivel më të lartë, po ashtu edhe në letërsi dhe në artet, janë vepra të Partisë e të punonjësve dhe jo të atyre që bëjnë zhurmë si miza, që pickojnë dhe sabotojnë. Në çdo periudhë të jetës sonë ka pasur ngritje, ka pasur përparim, ka pasur progres. Kjo është karakteristika revolucionare e gjithë zhvillimit tonë. Të moshuarit revolucionarë dhe krijues janë të lumtur dhe ky është objektivi i tyre i jetës, t’i shërbejnë me të gjitha forcat atdheut e popullit dhe të ndihmojnë, të nxitin dhe të inkurajojnë brezin e ri që të afirmohet, të krijojë, të marrë stafetën, të vazhdojë dhe të zhvillojë traditën revolucionare më me shkëlqim. Përse vallë Fadil Paçrami po përpiqet të na shpjegojë periudhën pas viteve ‘60-të që për ne e për të gjithë është e qartë? Apo pse pas vitit ‘60-të ai filloi të shkruajë “dramat e tij të famshme”? Gjepura!

Dihet historikisht se viti 1960 ishte fillimi i luftës së hapët frontale heroike të Partisë sonë kundër revizionizmit modern sovjetik dhe botëror, ishte lufta për jetë a për vdekje e Partisë dhe e popullit tonë trim kundër bllokadës revizionisto-kapitaliste. Këtu fillon edhe starti juaj, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, veç jo në rrugën revolucionare të Partisë„ por në rrugën kundërrevolucionare, antiparti, revizioniste. Faktet këtë tregojnë. Ju më kot doni të humbitni gjurmët e dhive të zgjebosura në këtë det të madh revolucionar që ka shpërthyer në vendin tonë; ju nuk mund të identifikoheni dot me rininë tonë heroike që ju përbuz, pse me pikëpamjet dhe veprimet tuaja përpiqeshit ta degjeneronit moralisht, ideologjikisht dhe fizikisht. Ju nuk mund të identifikoheni me njësitet mëdha e të çelikta të shkrimtarëve, poetëve, kompozitorëve, këngëtarëve e artistëve popullorë të talentuar, të vjetër e të rinj nga mosha, pse ata ju urrejnë jut dhe shokët tuaj si ju, pa vlerë, intrigantë, ngatërrestarë, rrufjanë politikë, përkrahës të rrymave dekadente borgjezo-revizioniste në letërsi e në art dhe armiq të betuar të artit tonë të realizmit socialist.

Ata kurrë nuk ju kanë dashur, pse ju keni qenë me dy faqe, arrogantë, disave u jeni imponuar nën maskën e autoritetit të Partisë dhe ata ju kanë duruar për një kohë, disa i keni kërcënuar po me këtë autoritet dhe kjo formon faj dhe krim kundër Partisë, disa të tjerë janë gabuar, pse kanë qenë naivë, politikisht të pa ngritur, s’arrinin dot të dallonin hiletë tuaja revizioniste. Ju mblodhët rreth vetes disa servilë, disa të degjeneruar, për të cilët Fadil Paçramit i vjen keq që i mori në qafë, kurse në të vërtetë ata Fadilin dhe Todin kërkonin, dhe këta po në kërkim të të tillë njerëzve ishin, se vetëm një brumë i tillë mund të gatuante një bukë të tillë të mykur. Lufta e Partisë, edukata e saj dhe durimi që ka treguar ajo vazhdimisht për anëtarin e saj, Todi Lubonjën, nuk bëri efekt tek ai. Todi Lubonja mbeti një mikroborgjez me të gjitha karakteristikat meskine të njerëzve me këtë origjinë, që nga zemërvogëlsia dhe lufta e përpjekjet që bënte ai si për të përfituar favore dhe poste të rehatshme dhe deri tek arroganca e megalomania për “vlerat e mëdha” të vetvetes. Për të, ashtu si edhe për Fadil Paçramin, vija e Partisë dhe horizontet që hapte ajo ishin të ngushta.

Për “mendjet e tyre të mëdha” duheshin hapur të tjera perspektiva “të çlirëta, të gjera, pa fund, liberale, moderniste”, në çdo gjë. Kur e dërgonte Partia për të punuar jashtë Tiranës, Todi Lubonja nuk shkonte pa shfaqur më parë pakënaqësi, pa kërkuar vende të preferuara. Dhe duhet thënë se atij asnjëherë nuk i është bërë as më e vogla padrejtësi. Duhet thënë, gjithashtu, se ky bënte përjashtim nga gjithë shokët e tjerë të udhëheqjes, të cilët kanë shkuar në çdo moment me entuziazëm atje ku e donte puna e Partisë. Kudo ku niste nga puna, që ditën e parë hapi fillestar që do të bënte Todi Lubonja ishte përmbysja, “reforma”, siç i quante ai në rrugën moderniste, siç u përpoq të bënte edhe në “Zërin e popullit”. Todi Lubonja që e trumbetonte veten “përkrahës të së resë”, luftën kundër konservatorizmit, luftën kundër skllavërimit. të gruas nga zakonet dhe kanunet prapanike etj., si dhe fjalimet direktivë për këto çështje, duke qenë kryeredaktor i “Zërit të popullit”, ai i linte në harresë. E kemi kritikuar rëndë për këto qëndrime, por rrjedha e kohës tregoi se ai nuk ka qenë dakord me vijën e Partisë.

Të njëjtën gjë ka bërë Todi Lubonja në Korçë, ku grumbulloi njerëz të deklasuar në art, si njëfarë Minush Jero e Mihallaq Luarasi. Këtë të fundit ai e kurorëzoi në Radio-Televizion, ku bëri “spastrimin”, solli njerëz të degjeneruar, mënjanoi organizatën-bazë, rregulloi dhe manipuloi programet, në të cilat filluan të dominonin xhazi, këngët e dashurisë, format dhe mënyrat dekadente të artit borgjez perëndimor. Ai arriti deri atje, sa Radio-Televizionin ta konsideronte domenin e tij, fushën e veprimit të ideve të tij revizioniste dhe me përbuzje arrogante s’pranonte as vërejtje dhe as kritika. Mbi të gjitha, ky njeri bosh e pa asnjë vlerë, duke u fshehur nën petkun e udhëheqësit dhe si ish-udhëheqës i rinisë, na hiqej sikur ishte një autoritet në materie, sikur mishëronte dëshirat dhe aspiratat e rinisë. E tillë është konsiderata e Todi Lubonjës për Partinë, për vijën e saj, për Komitetin Qendror të Partisë, saqë autokritika e tij në organizatën-bazë s’ka qenë aspak e mirë, ndërsa as që i shkoi ndërmend t’i drejtonte një autokritikë Komitetit Qendror, ku të analizonte fajet e tij të rënda. Ju e dëgjuat autokritikën false që ai bëri këtu, me një ton pompoz, por që u bë pluhur e hi nga diskutimet e zjarrta të anëtarëve të Plenumit të Komitetit Qendror.

Siç shihet, Todi dhe Fadili kanë qenë në një rrugë antiparti, kanë pasur të njëjtat qëllime, kanë pasur të njëjtat mendime dhe kanë përdorur të njëjtat metoda pune. Por jo, Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja, ju nuk mund ta vazhdonit gjatë punën tuaj antiparti, revizioniste. Kjo do të mbaronte pa lavdi për ju. Pse vazhdoi dhe kaq, mund të thotë me të drejtë Partia, pse s’u morën masa më parë kundër jush? Partia ka të drejtë të na kritikojë ne, që u treguam më tepër të durueshëm nga sa duhej me ju, që, duke jua vënë vazhdimisht në dukje gabimet, shkonim me shpresë se do të ndreqeshit, e tepruam me këshilla përpara kryeneçësisë suaj për të ecur nga gabimi në gabim. Por ne i themi Partisë, se këta nuk i kemi lejuar të livadhitnin si të donin. Në çdo veprimtari të tyre këta i pritnin pritat e Partisë. Është e vërtetë se disa herë u gjendën në befasi organizatat-bazë, ku ata dhe disa njerëz të tyre vepronin në kundërshtim me vijën e Partisë. Fadili dhe Todi kanë përdorur edhe mashtrimin, edhe mohimin, si rrufjanë të vërtetë politikë, për të vënë në gjumë për një kohë disa organizata-bazë dhe disa kolektiva, deri edhe Komitetin e Partisë të Rrethit të Tiranës. Por hileja ka dalë sheshit, gënjeshtra i ka kurdoherë këmbët e shkurtra.

Ja, ju kaluat nga e gjithë shosha e Partisë dhe mbërritët deri këtu, në instancën e lartë të saj, në Komitetin Qendror, i cili gjykoi veprimtarinë tuaj. Ç’tha Partia për ju? Ju dënoi njëzëri me të drejtë, me ndërgjegje të plotë dhe të pastër, në bazë të fakteve që vërtetojnë veprimtarinë tuaj. Ju ju gjykuan drejt, realisht dhe drejtësisht masat punonjëse. Partia ka pasur parasysh edhe të kaluarën tuaj, kurdoherë drejtësisht ju ka çmuar dhe me ndërgjegje ju ka dhënë dorën, është përpjekur ajo dhe ne udhëheqja e saj që t’ju korrigjonim, po ju s’keni dashur, ju e keni përbuzur Partinë, udhëheqjen dhe ndihmën e tyre. Ju keni menduar se jeni “njerëz të mëdhenj”, “njerëz të paprekshëm”, “udhëheqës të një Shqipërie të re të ardhshme dhe të një partie tjetër”, që ëndërronit. Ju edhe tani, përpara këtij gjykimi të drejtë dhe dënimeve të merituara që u bëjmë veprimeve tua lla armiqësore, në veten tuaj thoni “s’ka gjë, ne jemi përsëri njerëzit e shquar të një të ardhmeje, për ne do të flasë Perëndimi, do të flasë Beogradi, do të flasë Moska”, siç flet për Liri Belishovën dhe plehra të tjera.

Kjo është e vërtetë, pse ju jeni të tyret, ideologjikisht dhe politikisht, ndërsa për Partinë tonë ju jeni komplotistë dhe, duke menduar se vendi ynë dhe Partia ishin në krizë për arsye të rrethimit kapitalisto-revizionist, ju aktivizuat veprimet tuaja armiqësore. Nesër mendonit se do të dilnit si shpëtimtarë të situatës. Ju, si elementët antiparti që përmenda në fillim, nuk u maskuat me parulla mëngjarashe, por gjykuat se rrethanat ndërkombëtare kërkonin që të punonit dhe të dilnit me parulla të djathta. Vigjilenca e Partisë jua shkatërroi planet dhe ëndrrat. Por ne ju themi se ju jeni lecka, ju nuk jeni asgjë, jeni dhe do të jeni kufoma politike dhe ideologjike pa as më të voglën e vlerës. Ne ju këshillojmë të njihni thellësisht gabimet tuaja të mëdha dhe të rrezikshme. Duhet të spastroni kokën dhe ndërgjegjen nga shumë gjëra të këqija që kanë zënë rrënjë te ju, të ulni kokën në punë dhe në punë të spastroheni, të bëheni njerëz të rinj. Ëndërrimet e sëmura nuk e shërojnë njeriun, përkundrazi ato e sëmurin më shumë. Ne ju themi se konvaleshenca juaj do të jetë e gjatë, duhet të ndihmoni veten që t’ju ndihmojë Partia.

Kjo nuk ka munguar t’ju ndihmojë dhe mos harroni se ju e keni përbuzur dhe shqelmuar ndihmën e saj. Partia kurrë s’ka qenë dhe nuk do të jetë hakmarrëse ndaj atyre që gabojnë qoftë edhe rëndë, siç gabuat ju, por dijeni se Partia nuk e ka zakon t’ju fërkojë krahët, ajo do t’ju godasë akoma më ashpër, në rast se do të vazhdoni në gabimet tuaja. Duke marrë parasysh gabimet e rënda në vijën e Partisë të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës; duke marrë parasysh se këto gabime të tyre të shumta u vërtetuan plotësisht me fakte në diskutime të hapëta dhe të bazuara nga e gjithë Partia, nga baza dhe deri në Komitetin Qendror; duke marrë parasysh se të dy këta nuk e kanë vlerësuar, përkundrazi e kanë përbuzur ndihmën e madhe e të vazhdueshme që u ka dhënë Partia për një kohë të gjatë, me qëllim që t’i ndreqnin gabimet e tyre dhe të korrigjoheshin; duke marrë parasysh se qëndrimet e tyre antiparti, si në teori dhe në praktikë, kanë dëmtuar Partinë, shtetin dhe ndërtimin e socializmit dhe se për këto faje të rënda të tyre këta të dy bënë një autokritikë shumë të cekët, false dhe formale, unë propozoj, si të gjithë ju, që Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja të përjashtohen nga Partia si anëtarë të saj, të përjashtohen nga Komiteti Qendror si anëtarë të këtij forumi të lartë udhëheqës të Partisë, të përjashtohen, gjithashtu, nga të gjitha funksionet e tjera udhëheqëse në shtetl.

Agim Mero bëri autokritikë për gabimet e tij të rënda. Ne gëzohemi kur një shok njeh sinqerisht gabimet, qofshin këto edhe të rënda, pse kështu ekzistojnë garancitë për Partinë që ai të ndreqet. Partia dhe udhëheqja e saj e ndihmuan dhe do ta ndihmojnë që ai të ecë drejt paskëtaj, duke mos harruar parimin e drejtë se autokritika nuk është kurrë e mjaftë, qoftë ajo dhe shumë e mirë, në rast se në punë, në luftë, në jetë, nuk vërtetohet me vepra, me aksione, me qëndrime. Në dritën e gabimeve të Agim Meros, unë i propozoj Plenumit që, për gabimet e tij, Agim Meros t’i jepet si dënim: të zbritet nga anëtar në kandidat i Plenumit të Komitetit Qendror. Përveç kësaj ne do të mbajmë parasysh edhe disa propozime që u bënë këtu në lidhje me funksionet e tij shtetërore aktuale. Propozimi u vu në votë dhe u miratua njëzëri. Atëherë, shokë dhe shoqe, me kaq mbaruam, ju uroj shëndet dhe punë të mbarë për triumfin e ideve të Partisë! Rroftë Partia! /Memorie.al