DURRES – Një muaj nga ndotja masive e bregdetit të Durrësit, ende nuk është zbuluar subjekti që e shkaktoi atë. Në lidhje me këtë ngjarje nuk është vënë askush para drejtësisë. Ndërkohë, burime nga policia kufitare në Durrës (pjesë e grupit hetimor), dje bënë me dije se aktualisht dyshohen vetëm dy mjete lundruese. “Kemi kërkuar riekspertim të karburantit dhe mbetjeve të një prej trageteve të linjës Durrës-Bari dhe një prej anijeve tregtare që transporton kontejnerë në portin e Durrësit”, thanë burimet në fjalë.

Mësohet se ekspertët e laboratorit kriminalistik, në bashkëpunim me inspektorët e mjedisit kanë marrë mostra për riekspertim të lëndëve djegëse të tyre, pasi nga analizat e para janë vërejtur disa prej komponentëve të njëllojtë me mostrat e materialit që ndoti bregun e detit pas mesditës së 7 nëntorit.

Po të njëjtat burime pohuan, se janë marrë me dhjetëra mostra mbetjesh karburanti në mjetet lundruese që gjendeshin në portin e Durrësit dhe të atyre që lundrojnë në ujërat tona. Nga analizimi, vetëm dy mjete kanë mbetur të dyshuara (i përkasin tonazhit të madh), lëvizjet e të cilave në Adriatik korrespondojnë me kohën kur u ndot bregdeti. Sipas hetuesve, kjo është edhe mundësia finale për të zbuluar shkaktarin e ndotjes, në të kundërt ngjarja ka për të mbetur pa autorë. Kjo për faktin se ndotja mund të jetë shkaktuar nga ndonjë anije që ka kaluar tranzit në ujërat ndërkombëtare në drejtim të veriut, në Kroaci, Itali apo Greqi.

Burimet saktësuan, se nga përgjegjësia u përjashtuan anijet e peshkimit dhe anijet tregtare të tonazhit të mesëm dhe të vogël, pasi depozitat e tyre nuk mund të mbajnë atë sasi karburanti që ndoti plazhin. Hetimet për ngjarjen në fjalë janë regjistruar për akuzën e “Ndotjes së ujërave” dhe, nëse arrihet të provohet e të identifikohet personi apo kompania që ka kryer këtë derdhje, sipas legjislacionit shqiptar rrezikon një dënim nga 5 deri 10 vjet burg.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: