Aktori i Teatrit Kombëtar Neritan Liçaj, vjen në një intervistë në News24, ku sqaron arsyet pse ai merr pjesë në spotin elektoral të Partisë Demokratike. Nga ana tjetër, ai shprehet edhe mbi pjesëmarrjen e Robert Ndrenikes dhe Tinka Kurtit në spotin e Partisë Socialiste.

Ndonëse thotë se nuk i gjykon, Liçaj, kujton shembjen e Teatrit dhe thotë se e majta duhet t’u kërkojë falje artistëve, edhe atyre që firmosën për shembjen.

“Është e drejta e tyre që të marrin pjesë në spotin e Partisë Socialiste. Unë kam respekt për profesor Bertin dhe nana Tinkën. I vlerësoj si profesionistë dhe ajo është zgjedhja e tyre. Por ata dalin për një njeri që nuk ka bërë asgjë. Ai shembi teatrin dhe solli policinë në orën 4. Ndërsa, spoti elektoral ku dal unë, është për Europën”, thotë aktori Liçaj.

Ai vëren se nuk e pranon akuzën si i politizuar. “Politika na sulmoi kështu që politizimin ta mbajë në qafë e majta dhe policia dhe t’u vijë turp për atë që bënë. Nuk u detyruam të bashkëpunojmë me PD-në. Ne ishim në shesh dhe ftuam këdo. Erdhën edhe partitë, nëse bie në sy më shumë Basha dhe Kryemadhi, ky nuk është problemi jonë”, thotë ai.

Ai i përgjigjet edhe pyetjes se çfarë sigurie ka qe Basha do ta mbajë fjalën për teatrin, kur në vitin 2013, edhe Rama, edhe në pushtet duke premtuar restaurimin e tij. “Ne kemi një marrëveshje që e detyron dhe unë i dal kundër edhe Bashës nëse s’e zbaton. Unë në këtë barrikadë isha, edhe kur ishte Nanon e edhe kur ishte Berisha”, vëren Liçaj.

Sipas Liçajt, koherencë në qëndrime është të hapesh sytë kur të gënjejnë. “Artistët që mendojnë se mandati i 3 vlen, ta votojnë. Është zgjedhje personale e secilit. Unë sa të kem frymë nuk e votoj më të majtën. E majta t’u kërkojë falje artistëve, sepse ka qenë sulm politik. E majta është në borxh, edhe me ata që firmosën shembjen. Nuk dua të merrem me kolegët, por unë e di që jam në anën e duhur të historisë”, thotë aktori.

I pyetur nëse do të ketë hakmarrje nëse PD vjen në pushtet, dhe nëse vetë Liçaj merr ndonjë post me ndryshimin e qeverisë, ai thotë se PD nuk duket të jetë hakmarrëse dhe se vetë ai nuk synon post. “Më kanë propozuar, por unë dua skenën”, shprehet aktori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb