TIRANË

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu deklaroi sot se projektligji i ri për organizimin dhe funksionimin për policinë gjyqësore ka rëndësi edhe në kuadër të Reformës në Drejtësi.

“Ndërhyrja për përmirësimin e ligjit për policinë gjyqësore është me rëndësi edhe në kuadër të Reformës në Drejtësi që ne me shumë sforco po përpiqemi ta implementojmë edhe pse opozita është vënë kundër implementimit të kësaj reforme që shqiptarët mezi e presin”, tha Ndreu.

Ndreu tha se një risi e këtij projektligji është Komisioni i policisë gjyqësore.
“Është risi sepse policia gjyqësore ka qenë problem deri sot në punën e përditshme. Ky problem ka ardhur sepse në 1995 kur u fut Kodi i ri i Procedurës Penale në shërbim ideja ka qenë që shërbimet e policisë gjyqësore dhe Prokuroria të jenë një. Dhe me ligjin që është aktualisht i takon Prokurorisë që nga ana proceduriale ta drejtojë policinë gjyqësore”, tha ai.

Por, shtoi Ndreu, “Prokuroria asnjëherë s’e ka luajtur këtë rol. Ka luajtur shumë keq në mënyrën e organizimit të policisë gjyqësore sepse nuk kanë pasur asnjëherë aftësitë profesionale për të vazhduar hetimet. Prokurorët e distancuan veten nga përgjegjësia për të punuar me policinë gjyqësore dhe për ta asistuar policinë gjyqësore që të ngrejë nivelin e saj të punës”.

“Shpesh akuzohet policia gjyqësore se nuk bën mirë marrjen e provave, por kush e ka këtë përgjegjësi. E ka Prokuroria. Prandaj projektligji i ri e rregullon këtë problem”, tha Ndreu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb