Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Flej e dashtuna jeme/ e çohu pa mue…/T’kam pa tinëz/ tuj ba dashni me mungesën teme/ si nji dashnore e hazdisun/ t’kam pa e kam lotue,/ e kam pa vetminë tande shtri n’vendin tem/ si nji dashnor i ri/ flej e dashtuna jeme,/un’ sonte nuk vij…” Këto vargje, janë shkëputur nga poezia “Rrnoe për me m’harrue”, të poetit të ri Ndriçim Ademaj. Dje në mbrëmje në ‘Tulla Center’, u bënë leximet e para të librit të tij të fundit “Këngë nga rruga e farkëtarëve” (Botimet Pegi), që në fakt më shumë se këngë, janë rrëfime, ‘vaje’, janë trishtime të lexueshme nëpër fletë të bardha, mbi të cilat ulen dhunshëm, shkronja të zeza, që kumtojnë e flasin për përjetime, ndenja, kohë. Dashuria, dhimbja e humbjes së saj, e humbjes së shpresës, malli që bren çdo ind, harresa, boshllëku i lënë nga ikjet e mëdha, e kujtimet për kohë të bukura që tashmë nuk guxon t’i mendosh, parakalojnë nga një poezi në tjetrën si dëshmitarë ditësh e netësh të jetuara, a të marra zvarrë.

Poezia e tij është e thjeshtë, e lirshme dhe vallëzon nga një çast në tjetrin, duke u shfaqur me një armatë shkronjash, të cilat shërbejnë vetëm për të përcjellë ato ndjesi të brendshme që shënjojnë e drejtojnë jetë njerëzore: “T’i mund të mësohesh pa mua mjaft lehtë,/ mund të shtrihesh në kolltukun e ri e këmbët t’i fusësh në jastëkun e kuq/ (dikur ata ishin dy)/ dhe asnjë send s’do të dëshmojë/ për mungesën time,/ filxhanët do të jenë larë,/ pa kapelat e mia dollapi më i lehtë duhet të jetë/ dhe lulet në ballkonin tënd tash mund të vdesin pa frikë…/”-shkruan ai në poezinë “Edhe zogjtë harrojnë udhën e kthimit”. Sekush mund të gjejë veten, ëndrrat e struktura a shpresat që s’ka guxuar t’i thërrasë me zë. Ndonjë strofë, mund t’u shërbejë për tu lutur “Do të vish me mua?/ Se sa herë jam vetëm/ (e unë vetëm jam zakonisht)/ kam nevojë për një palë flokë ku t’i fus gishtat/ e ta luaj muzikën e botës së përjetshme…” Ka vargje, nga ato të tjerat, që flasin për qytete bosh, për qytetarë që ikin, e lënë vendin. E shkruar në ditët e ikjes së madhe të kosovarëve drejt Perëndimit, një prej poezive na sjell një panoramë të trishtueshme përcjellje: “Njerëzit po shkojnë/ e ky qytet i ngjan një fushe korbash të uritur/ që s’kanë kokën e kujt të hanë…/ Jeta jonë po ikën ditë për ditë/ me autobusin e orës shtatë,/ unë endem rrugëve/ me një biletë në dorë/ dhe një brisk rroje në xhep…” Titullohet “Dans hungarez i orës shtatë”, e nuk mundet gjithsesi të jetë një këngë, ajo i ngjan një proteste, i ngjan një thirrje që nuk e dëgjon askush. “Edhe kjo natë boshe ka marrë udhë,/nesër mund të jetë një ditë e mirë/ për t’i rënë vetes/ ose qeverisë/e atëherë vnerin e njerëzve të mi/ as Danubi s’do të mund ta lajë…” Mbrëmë u lexuan shumë prej tyre, e disa prej poezive na lexuan ne, atë ‘ne’ që jeton në mes nesh, e rrallëherë guxon të dalë.

Poeti Ndriçim Ademaj, ka botuar dy vëllime poetike “Kërkoj diellin” (2008) dhe “Dera” 2011 në Prizren, më pas është ribotuar në Tiranë në dhjetor 2012 nga Ombra GVG). Kritika shënon se të shkruarin, nuk e ka profesion por gjen kohë të kultivoj talentin e tij, e të shkruaj poezi kudo që ndodhet. Vëllimi i tij i fundit, “Dera” përmban rreth 51 poezi dhe është ribotuar në Tiranë në fund të vitit 2012, ku edhe është plotësuar me poezi të reja. Temat që ka për bazë ky autor janë dashuria, vdekja, nostalgjia, ndërsa heroina që ai përmend thuajse në çdo poezi është “vajza”. Sipas lexuesve të specializuar, atmosfera e poezive të tij është melankolike, me shi, dimër, pranverë, poezi të ftohta por shumë të dashura. Ndër situatat nostalgjike që përmend është dëshira për t’u ritakuar me vajzën, kujtimet e fëmijërisë me shokun e tij, poezitë për babain, për nënën. “Poezitë e Ndriçimit na rikujtojnë dhe theksojnë anën vetëshkatërruese të njeriut, të rrethit e edhe të rethanave. E këtë autor të ri nëse e krahasojmë me Lasgush Poradecin ose me Migjenin ai gjithsesi anon kah poezitë migjeniane në formën e njëfarë shtypjeje shpirtërore”, është thënë për të.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: