“Bota Shqiptare e Branko Merxhanit” është libri më i fundit i Ndriçim Kullës. Ai u promovua këtë të hënë, duke sjellë në dritë, mendimin e një prej intelektualëve më të spikatur në vitet 1930, po ashtu një prej atyre që nuk u magjeps nga marksizmi që asokohe njihej si sëmundje e të rinjve.

“Është bëre një debat për Brankon nga Gani Bobi por ka qenë një kohë që ishte i detyruar për shkak të komunizmit, kohë në të cilën Merxhani nuk njihej. Merxhani ka pasur debat me Petro Markon, sepse Petro Marko ishte komunist deri kur ajo që i ndodhi e bëri që të hiqte dorë nga komunizmi por jo nga idetë e majta. Megjithatë, Brankon dhe Petron i bashkonte kultura dhe dija”, tha Kulla.

Kulla u ndal edhe te raporti i artistëve me politikën jo pa thumbuar.
“Nuk ka asnjë problem që artistët të merren me politikë por kur kjo vjen natyrshëm jo kur ka tendencë. Meqë jemi në prag të zgjedhjeve unë nuk shoh një kryeministër të dijes”, tha Kulla duke shtuar se me artistët në politikë, e para është politika.

Mungesën e politikave kulturore në kohe pandemie, Kulla e sheh si tragjike. “Është tragjike dhe efektet e saj janë afatgjata. Janë pasoja që do i shohim më vonë. Botuesit po falimentojnë”, tha ai.

Kulla e ka studiuar figurën e Merxhanit që në vitet e komunizmit, kohë kur siç tha ai, ndjehej i vetmuar, sepse për Merxhanin nuk kishte me kë fliste. Ai bëri paralele mes mendimit intelektual dhe situatave politike në vitet 1930 e sot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb