TIRANEMe të folmen tiranase e pa teklif, diku-diku me fjalë të pa “lustruara”, me natyrën babaxhane, Ndriçim Xhepa prezanton rolin e tij të fundit te filmi më i ri “Delegacioni” në “GSH”. “Personazhi që unë luaj, është një shoku Spiro, që i caktohet një detyrë: të shkojë e të marrë bashkë me një polic xhahil, që nuk ha shumë pykë e “është dru me pre” një të burgosur politik”.

Ngjarjet janë vendosur në vitet 1990. Filmi me regji të Bujar Alimanit, rinisi, si projekt i lënë në letër nga Artan Minarolli. Ndërsa xhirimet kanë mbaruar e po punohet me postproduksionin, një prej aktorëve të filmit, e një prej emrave më të njohur në kinemanë e teatrin shqiptar, vjen në një intervistë për “GSH”, në një vështrim që del përtej filmit.

Duke marrë shkas nga roli i fundit, Ndriçim Xhepa, në bisedën e tij, ndalet edhe në çështje që shkojnë matanë artit, si roli i artistit në një shoqëri, raporti ynë me të shkuarën, raportin ynë me pushtetin a pushtetet, mungesa e fuqisë sonë reaguese, a raportet me liderët(kokëngjeshurit që nuk dëgjojnë). Është një intervistë që vjen pothuaj në variantin e saj fillestar, pa “latime”, pa gdhendje, duke i qëndruar besnike, sinqeritetit, me të cilin një artist flet për shoqërinë ku jeton.

Cili është roli juaj te “Delegacioni”, filmi i Bujar Alimanit?
Personazhi im është një shoku Spiro, një njeri me pozitë në Ministrinë e Brendshme. I caktohet një detyrë, të shkojë e të marrë një të burgosur, bashkë me një polic xhahil, që nuk ha shumë pykë e “është dru me pre”, Asllanin, interpretuar nga Xhevdet Ferri. Të dy këta, bashkë me një makinë ku shoferin e luan Kasem Hoxha, shkojnë në një burg. Aludohet për burgje ku dërgoheshin të dënuarit politikë.
Marrin atje, Viktor Zhustin, heroin e filmit, për të cilin zhvillohet ngjarja. “Delegacioni” sjell në vëmendje ndërrimin e situatës shqiptare- janë vitet 1990, kur ne përpiqemi të hidhemi në bregun tjetër, atë të demokracisë, pavarësisht se sot e gjithë ditën ne jemi ende me atë demokracinë e çuditshme që bëjmë ne shqiptarët.
Vjen një delegacion për të komunikuar me qeverinë shqiptare siç realisht ka ndodhur në atë kohë me presidentin Ramiz Alia- e flitej për të drejtat e njeriut, pra kthimin e pllakës e me rregulla të tjera loje. Shefi i delegacionit, është Zoti Loheren, i cili në rininë e tij në Pragë ka qenë student me shqiptarin Leo. Me ardhjen e tij në krye të një delegacioni në Shqipëri kërkon të takojë mikun e tij të rinisë, pa e ditur që ai është i dënuar politik prej 16 vitesh. Për këtë kërkesë që ai bën, shteti vihet në një lloj ngërçi. O burra të sjellim Leon, ta marrin nga burgu, ta pastrojnë, ta rruajnë, ta sjellin në Tiranë, në atë Tiranën ku në shtëpinë e Leos qëndron e ëma fillikat vetëm, ndërsa gruaja e fëmijët e kanë lënë. Filmi merret me këtë hark kohor dhe ngjarjet zhvillohen nga mëngjesi, që merret nga burgu deri në çastin e finales.

Intervistën e plotë mund ta lexoni gjeni duke klikuar linkun më poshtë në GSH.al:

http://www.gsh.al/2017/04/28/ndricim-xhepa-e-gjithe-jeta-jone-ishte-propagande-ja-pse-jemi-sot-ne-pozicionin-e-deleve/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: