Aktori shqiptar Ndriçim Xhepa feston sot 62-vjetorin e lindjes së tij. Xhepa u lind në Tiranë, më 21 janar 1957, ai është djali i “Artistes së Popullit” dhe aktores së madhe Margarita Xhepa.

Mbas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, më 1979, ai u bë aktori mjaft i njohur i Teatrit dhe kinematografisë shqiptare është shpallur tri here fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Xhepa mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.

Aktori ka interpretuar rreth 35 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë: Arseni te drama “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahes, Prometeu te drama “Prometeu” e Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën pasionale të Romeos te tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit.

Pikën kulmintante të karrierës, Xhepa e arriti me interpretimin e rolit të Ferndandos në vitin 1995 te drama “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit te komedia Lirie Kapitulli i dytë e Nail Saimonit ndryshoi formatin dhe u fut në rrafshin e komikes dhe lirikes .

Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi. Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën e kahut psikologjik në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982), shkruan Atsh.
Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat më të realizuara, sikurse qe ajo e Alush beut në filmin “Dasma e Sakos”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb